SARANDË-Policia ka zbardhur ngjarjen e ndodhur në Sarandë në shkurt të këtij viti, ku një 57-vjeçari iu vendos eksploziv në automjetin e tij. Autoritet kanë identifikuar dhe shpallur në kërkim autorët e dyshuar të ngjarjes, Griseld Taullaj dhe Xhafer Bajo.
Ngjarja ndodhi më datë 05.02.2026, në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Urës së Vrinës”, në Konispol, ku lënda eksploziv ishte vendosur në automjetin e Mirash Gjikola, 57 vjeç. Sasia e lëndës eksploziv ishte vendosur në sediljen e pasme të mjetit dhe dyshohet se do të aktivizohej me telekomandë. Gjikola konstatoi vetë tritolin. Policia, ekspertë të krimeve të rënda nga Policia e Vlorës dhe reparti anti-eksploziv i RENEA-s shkuan në vendngjarje duke bërë të mundur neutralizimin e lëndës.
Nga hetimet dyshohet se Taullaj dhe Bajo kanë vendosur një sasi lënde plasëse në automjetin që drejtohej nga 57-vjeçari, me qëllim vrasjen e tij.
Vetë Gjikola, rezulton një person me precedent penal, i dënuar më herët me 8 vite burg për tentativë vrasjeje. Në vitin 2012 Gjikola plagosi me armë zjarri brenda një lokali, Dedë Kovaçin. Sipas burimeve policore, Gjikola ishte zhvendosur prej kohësh nga Lezha dhe jetonte aktualisht në Shëndëlli, pranë Konispolit.
Njoftimi i policisë:
Si rezultat i një pune intensive hetimore nga strukturat për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Vlorë dhe Komisariatin e Policisë Sarandë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur më datë 05.02.2026, në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Urës së Vrinës”, në Konispol, pas provave të grumbulluara dhe informacioneve të siguruara, u bë identifikimi dhe shpallja në kërkim e autorëve të dyshuar të kësaj ngjarjeje, konkretisht shtetasve:
G. T., 39 vjeç dhe Xh. B., 39 vjeç, të dy banues në Sarandë.
Për këta shtetas, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë”, si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Nga hetimet dyshohet se këta shtetas kanë vendosur një sasi lënde plasëse në automjetin që drejtohej nga shtetasi M. Gj., 57 vjeç, me qëllim vrasjen e tij.
Strukturat e Policisë vijojnë punën intensive për lokalizimin, kapjen dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore. Ndërkohë, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.

