SARANDË-Fadromat e IKMT-së zbarkuan të hënën në plazhin që u bë shkak për arrestimin e shefit të Komisariatit Sarandë Gëzim Bashllari, dhe tre vartësve të tij, Andi Duro, Ajdin Ismailaj dhe Robert Çullaj, të dyshuar për shpërdorim detyre dhe përfshirje në skemën korruptive që lejoi vijimin e punimeve.
Bëhet fjalë për 'Copacabana', një beach-bar në zonën e plazhit në Kanalin e Çukës, i cili prej vitit 2022 rezulton në emër të shtetases Arjola Dhrami Bajo, e shpallur tashmë në kërkim nga policia. Avokati i saj Rigels Dervishi e quan të paligjshëm ndërhyrjen e IKMT dhe për këtë thotë se do të depozitojë një kallëzim në Prokurorinë e Sarandës. Ai pretendon se beach-bari është ndërtuar me leje nga KKTU-ja.
"Vendim i paligjshëm. IKMT ka pretenduar se ndërtimi është pa leje. Sjell në vëmendje që bari ka qenë ekzistues, me dokumente pronësi në emër të Arjola Dhrami Bajo për të cilën kemi dorëzuar të gjithë dokumentacionet përkatëse. Stacioni është me leje, me vendim të KKTU-së dhe në mënyrë abuzive po kërkohet të prishet një biznes i ndershëm. Do bëj kallëzim për procedurën që është mbajtur, një stacion plazhi që e ka dhënë qeveria. I bie, që çdo bar këta të vijnë ta prishin. Si mund ta prishin një biznes të ndershëm, ekzistues”, thotë avokati Rigels Dervishi.
Prona në fjalë ka qenë në emër të Isuf Jaçajt, i cili u ekzekutua me tritol në makinën e tij në tetor të 2025. Ka dyshime se grupi kriminal mund të ketë kryer shpërthimin me tritol dhe të jenë autorë edhe të ngjarjeve të tjera në qytetin e Sarandës. Për lejimin e ndërtimit, dyshohet se janë dhënë ryshfete ndaj drejtuesve të policisë.
Aksioni nisi pas një denoncimi të mbërritur në Policinë e Shtetit, për ndërtimin pa leje në një hapësirë plazhi në lagjen numër 1 në Sarandë, që çoi në arrestimin e 8 punëtorëve dhe shpalljen në kërkim të pronares Arjola Dhrami Bajo. Për këtë ndërtim, Policia e Shtetit njoftoi shërbimet e IKMT-së, IMT-së dhe Policisë Bashkiake, të cilat kryen prishjen e ndërtimeve./ZËRI

