
TIRANË- Tensionohet situata tek ish-Uzina Dinamo! 9 familje janë kërkuar që të dalin nga banesat e tyre në mënyrë që në zonë të ndërtohet. Bëhet fjalë për një pallat ku prej 30 vitesh banojnë disa familje, të cilit së fundmi i ka dalë një pronar i cili kërkon privatizimin e pallatit me të cilin janë në proces gjyqësor. Ndaj, edhe sot në rrugën "Misto Mane" kanë shkuar punonjësit e Operacionit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike dhe ata të Ujësjellësit, në mënyrë që të "presin" energjinë dhe ujin e pijshëm. Por kanë hasur në resistencë nga banorët e pallatit që kërkohet të lënë banesat e tyre.
Banorët pretendojnë se ata kanë 30 vite që banojnë në këtë pallat.
“Na kanë ardhur dhe na kanë ndryshuar kontratën e dritave, del emri i pronarit tjetër. Kanë dy ditë, kanë ardhur ti presin, ne nuk i kemi lënë. Këto janë shqetësimet tona. Ne kemi 30 vite që rrimë në këtë pallat. Jemi në gjyq. Ne kemi fillimisht VKM, një pjesë e madhe e Uzinës është privatizuar me lekë. Ne i kemi nxjerr në gjyq. Unë me zotin e tokës e kemi bërë llogarinë që edhe po të prishej sa lekë do merrte. Pa pritur pa kujtuar kanë ardhur të heqin kabinën elektrike. Nuk jam debitor. Ai që është i zoti i tokës të vijë të flasë me mua,”-tha një prej banorëve.
Në mbështetje të banorëve ka shkuar edhe kreu i Forumit Rinor të Partisë Demokratike, Besart Xhaferri.
Ndërsa një sqarim më të qartë për mediat ka dhënë avokatja e banorëve.
"Këto prona kanë kaluar për ti privatizuar dhe të gjithë këto godina i kanë kaluar entit të banesave dhe janë ata që duhet të bëjnë kontratën me banorët. Ka një vendim qeverie të vitit 2013, që këto banesa u takojnë ketyre banorëve. Këta duan tu presin ujin dhe dritat që banorët të ikin nga banesat dhe ata të ndërhyjnë natën. Ne kemi shkuar edhe në gjykatë sepse e kanë njohjen pronarë. Janë 7 institucione në gjyq. Duan që të vijnë natën dhe t'u shembin natën. Si rrethimi i Krujës, i presin ujin, i presin dritat dhe janë të detyruar, o do vdesin brenda, o do largohen dhe do të shembet godina. Ndërkohë që ne jemi në gjyq. Ky është konflikti. Kanë lajmëruar se do të vijnë por kanë parë mediat dhe nuk kanë ardhur. I kam kërkuar Bashkisë informacion se çfarë po ndodh këtu. Sepse ishte vendosur një tabelë se këtu ishte dhënë leje ndërtimi. Bashkia më thotë nuk ka as kërkesë dhe as leje për ndërtim. E dinë që nuk mund ta jepin leje, kështu nxjerrin pretendimin se këtu gjoja do të bëhet rrugë. A ka një dokument? A ka një projekt? Vijnë këtu dhe u presin ujë e drita banorëve. Se janë të vendosur, nuk i lënë pronat e tyre se kanë 27 vjet këtu. Kjo është skemë korruptive,"-tha avokatja e banorëve, Eda Grimçi.
Nga pala tjetër, një grup personash pretendojnë të jenë pronarë të tokës dhe kërkojnë dorëzimin e saj, duke u mbështetur në të drejtën e parablerjes. Por banorët e kundërshtojnë këtrë pretendim, duke u shprehur se kanë gati 30 vite që banojnë në pallat dhe me një vendim të Këshillit të Ministrave u ka kaluar pronësia. Për arsyen se përse prona e tyre do të shembet, banorëve u janë dhënë disa versione. Bashkia e Tiranës pretendon se nuk ka dhënë asnjë leje ndërtimi në zonë për zhvillim, por së fundmi ka dalë edhe një tjetër version se në atë zonë do të ndërtohet një rrugë, por deri më tani, pranë tyre nuk është paraqitur asnjë plan urbanistike./ZËRI