
TIRANË-Gjykata e Posaçme ka shpallur vendimin përfundimtar për inceneratorin e Tiranës. Ish-ministri i mjedisit, Lefter Koka është dënuar me tre vite burg, por duke përfituar nga gjykimi i shkurtuar me një të tretën, dënimi i zbret në dy vite. Ndërkohë duke përllogaritur kohën e paraburgimit dhe çështjes së arrestit, GJKKO vendosi shuarjen e masës së sigurisë për këtë dosje. Fajtorë u shpallën edhe 6 të pandehurit e tjerë të dosjes, ndërsa për Jetmir Llapaj u shpall pafajësia.
Njejtë si ish-ministri edhe Taulant Tushe, Bledar Karoli, Namik Simixhiu dhe Fatjon Murati iu shua masa e sigurisë. Zyrtarët u dënuan me 3 vite burg, me gjykim te shkurtuar 2 vite burg. Gjithashtu ata duhet të qëndrojnë 5 vite jashtë funksioneve publike. Ndërkohë, për Valbona Ballgjinin dhe Sidita Koplikun dënimi u konvertua në shërbim prove.
VENDIMET:
Lefter Kokën - 3 vite burg, i zbret 1/3 e dënimit për shkak të gjykimit të shkurtuar. Në fund vendoset shuarja e masës. Pa të drejtë funksionesh publike për 5 vite.
Bledar Karoli - 3 vite burg me gjykim të shkurtuar, dënimi ulet në 2 vite dhe 5 vite ndalim nga funksionet publike, shuarje mase arresti në burg.
Taulant Tushe - 3 vite burg me gjykim të shkurtuar, dënimi ulet në 2 vite dhe 5 vite ndalim nga funksionet publike. Shuarje e masës së sigurimit arrest në burg.
Jetmir Llapaj - I pafajshëm
Namik Simixhiu - 3 vite burg me gjykim të shkurtuar, dënimi ulet në 2 vite. Shuarje të masës së arrestit dhe heqje e të drejtës për funksione të publike
Valbona Ballgjini - 2 vite burg, me gjykim të shkurtuar, i cili konvertohet në shërbim prove sa dyfishi i mbetur i pjesës së shlyerjes së dënimit, 5 vite pa funksione publike.
Sidita Kopliku - 1 vit e 6 muaj, me gjykim të shkurtuar në 1 vit burg, i cili konvertohet në punë në të mirë publike. 5 vite pa të drejtë funksionesh publike.
Fatjon Murati - 3 vite burg, me gjykim të shkurtuar, dënimi ulet në 2 vite dhe 5 vite ndalim nga funksionet publike.
Inceneratori i Tiranës është sekuestruar nga SPAK që prej verës së vitit 2023, pasi rezultoi se kompania e cila fitoi koncesionin për ndërtimin e inceneratorit me vlerë 128 milionë Euro, ka si pronarë biznesmenët Mirel Mërtiri e Klodian Zoto. Gjatë hetimeve Prokuroria e Posaçme ka konstatuar një sërë parregullsish gjatë procedurës së ndjekur për dhënien e koncesionit dhe po ashtu ka dyshime se ish-funksionarët publikë kanë bashkëpunuar me Klodian Zoton për të bërë gati të gjitha dokumentet për të fituar koncesionin për rehabilitimin e landfillit dhe ndërtimin e inceneratorit të Tiranës./ZËRI