Aktualitet

Insidor Rexhepi emërohet Drejtori i Përgjithshëm i Antikorrupsionit

Para se të emërohej drejtor i DPA Rexhepi ka mbajtur më parë postin e këshilltarit ligjor në Komisionin e Pavarur të Kualifikimi (KPA).

I.F
Insidor Rexhepi emërohet Drejtori i Përgjithshëm i
Foto ilustruese

TIRANË- Insidor Rexhepi është emëruar drejtor i Përgjithshëm i Drejtorisë së Përgjithshme të Antikorrupsionit. Ky vendim u mor pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave. Para se të emërohej drejtor i DPA Rexhepi ka mbajtur më parë postin e këshilltarit ligjor në Komisionin e Pavarur të Kualifikimi (KPA).

"Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të kreut III, të  vendimit nr.436, datë 26.6.2024, të Këshillit të Ministrave, “Për krijimin, organizimin e funksionimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Antikorrupsionit”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Z. Insidor Rexhepi emërohet drejtor i Përgjithshëm i Drejtorisë së Përgjithshme të Antikorrupsionit.

2. Ngarkohen ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin dhe Drejtoria e Përgjithshme e Antikorrupsionit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”", thuhet në njoftim.

Këshilli i Ministrave vendosi në qershor krijimin dhe mënyrën e funksionimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Antikorrupsionit (DPAK), e cila do të funksionojë si person juridik, publik, buxhetor, në varësi të ministrit përgjegjës për antikorrupsionin, Adea Pirdeni në cilësinë e Koordinatorit Kombëtar kundër Korrupsionit, me seli në Tiranë. Në vendimin e qeverisë, marrë në mbledhjen e djeshme thuhet se misioni i DPAK-së është të sigurojë parandalimin dhe goditjen e korrupsionit në institucionet e administratës shtetërore, entet publike, si dhe shoqëritë tregtare me kapital shtetëror.

DPAK-ja ka përgjegjësi funksionale të organizojë punën për koordinimin e përcaktimin e instrumenteve të domosdoshme për implementimin e politikave të fushës kundër korrupsionit, si dhe zhvillimin e projekteve e të programeve në fushën kundër korrupsionit.

Po ashtu, ajo duhet të angazhohet për rritjen e ndërgjegjësimit për zbatimin e politikave të fushës kundër korrupsionit; kryerjen e hetimit administrativ në kuadër të denoncimeve ose ankesave për praktika abuzive, korruptive apo arbitrare për zbatimin e ligjshmërisë, si dhe identifikimin e punonjësve të institucioneve ku DPAK-ja shtrin aktivitetin, të cilët, me veprime apo mosveprime, kanë kryer shkelje të akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi.

DPAK ndjek po ashtu edhe zbatimin e rekomandimeve të dhëna ndaj institucioneve. DPAK-ja drejtohet nga drejtori i përgjithshëm, i cili emërohet, lirohet dhe shkarkohet nga Këshilli i Ministrave, me propozim të ministrit. /ZËRI

Poll

MOS HUMB