
TIRANË- Gjykata e Apelit Tiranë ka dënuar me 12 vite burgim Kiri Mërnica, vëllanë e Azgan Mërnicës për vrasjen e 23-vjeçarit Florian Selimit. Po ashtu u dënua dhe bashkëpunëtori i tij Sadri Selaci. Ngjarja e rëndë ndodhi më gusht të vitit 2019, në fshatin Sulaj të Fierit u gjet i vrarë me thikë 23-vjeçari Florian Selimi. Trupi i tij ishte hedhur në një kanal dhe u gjet pas disa orësh kërkime. Por edhe pse kanë kaluar pesë vite nga kjo ngjarje, nëna e Florian Selimit nuk ka gjetur drejtësi. Ajo ka vite që ndjek dhjetëra seanca që zhvillohen për dy personat që janë marrë të pandehur për vrasjen e djalit të saj, Kiri Mërnica dhe Sadri Selaci.
“Në përfundim të gjykimit, më datë 19.11.2024, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Relator Gjyqtar z. Genti Shala dhe anëtarë znj. Brikena Ukperaj dhe z. Dritan Hasani, vendosi:
-Lënien në fuqi të vendimit nr. 583, datë 04.12.2023 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier në lidhje me fajësinë dhe masën e dënimit për të pandehurit K. M, L. B e R. M sa i përket veprave të parashikuara nga nenet 323/1 e 278/1 të Kodit Penal, si dhe provat materiale e shpenzimet gjyqësore.
-Ndryshimin e vendimit nr. 583, datë 04.12.2023 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm vFier për pjesën tjetër si vijon:
-Deklarimin fajtor të pandehurit K. M për kryerjen e veprës penale “Vrasje me dashje”, parashikuar nga neni 76, 22 e 25 i K. Penal dhe dënimin e tij me 11 vjet burgim.
-Bazuar ne nenin 55 të K. Penal, bashkimin e dënimeve me një dënim të vetëm prej 12 vjet burgim.
-Deklarimin fajtor të pandehurit R. M për kryerjen e veprës penale “Vrasje me dashje”, parashikuar nga neni 76, 22 e 25 i K. Penal dhe dënimin e tij me 11 vjet burgim.
-Bazuar ne nenin 55 të K. Penal, bashkimin e dënimeve me një dënim të vetëm prej 12 vjet burgim.
-Deklarimin fajtor të pandehurit L. B për kryerjen e veprës penale “Vrasje me dashje”, parashikuar nga neni 76, 22 e 25 i K. Penal dhe dënimin e tij me 11 vjet burgim.
-Bazuar ne nenin 55 të K. Penal, bashkimin e dënimeve me një dënim të vetëm prej 12 vjet burgim.
-Deklarimin fajtor të pandehurit M. M për kryerjen e veprës penale “Vrasje me dashje”, parashikuar nga neni 76,22 e 25 i K. Penal dhe dënimin e tij me 11 vjet burgim.
-Vuajtja e dënimit nga të pandehurit K. M, R. M, L. B dhe M. M të bëhet në një burg të sigurisë së zakonshme”, njofton gjykata.
Por familja Mërnica nuk është e panjohur për drejtësinë. Rasti i parë i përfshirjes së tyre në krime ishte kur Petrit Mërnica, babai i Kirit dhe Azganit vrau kunatin e tij. Petrit Mernica ka bërë 20 vite burg për këtë vrasje. Një tjetër anëtar i fisit Mërniça që ndodhet pas hekurave është edhe daja i Azgan Mërnicës, i cili është duke kryer dënimin me burg në Gjermani. Ndërsa vëllai i tij Azgan Mërnica ndodhet në burg pasi vrau efektivin e Shqiponjave Novruz Cenalia në Fier.
Mërnica ka deklaruar se po lëvizte me makinë dhe pasagjere ka pasur nënën e tij dhe duke kaluar në një rrugë në fshatin Baltëz është ndeshur me makinë në rrugë me policin Nevruz Cenalia. Sipas 23-vjeçarit në një moment ka parë që polici ia ka bërë me dorë dhe ka menduar që e ka sharë dhe ofenduar. Në këtë moment ka dalë jashtë makinës për t’u sqaruar dhe ka parë që polici ka afruar dorën te arma e shërbimit dhe sipas tij e ka qëlluar duke menduar se do ta vriste efektivi i pari.
Azgan Mërnica është vetëdorëzuar në policinë e Fierit mbrëmjen e 15 majit 48 orë pas vrasjes. Ai u kthye në shtëpinë e dajës së tij në Dërmenas, pasi siç pranoi ishte edhe i uritur pasi kishte dy ditë pa ngrënë. Më pas, 23-vjeçari është vetëdorëzuar në Polici pas negociatave nga babai dhe daja i tij. Policia e kishte lokalizuar dhe i kishte thënë familjarëve të Azgan Mërnicës që të vetëdorëzohet, ndryshe do të neutralizohej. Në videon e publikuar ndërsa hipën në makinë për tu dorëzuar në polici, 23-vjeçari u shfaq i qeshur dhe i qetë. Ndërkohë Prokuroria ka ngritur dy akuza ndaj Azgan Mërnicës, vepra penale “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armeve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. /ZËRI