TIRANË- Ish-drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Agim Ismaili është marrë i pandehur nga SPAK në lidhje me hakerimin e sistemit kompjuterik të prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme. Ismaili u paraqit mëngjesin e sotëm në ambjentet e prokurorisë ku u njoh dhe me akuza në lidhje me çështjen.
Ismaili po hetohet për ‘Përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike’, 'Pjesëmarrja në grup të strukturuar kriminal' dhe 'Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal'. Pas daljes nga ambjentet e SPAK, ish-drejtori nuk ka folur për mediat.
Gjatë muajit prill të 2025, oficerët e BKH-së morën një sinjal telefonik që tregonte se dikush kishte hyrë në mënyrë të paautorizuar në rrjetin e tyre. Ndër kompjuterët ku Arnold Rrokaj, i arrestuar për këtë ngjarje kishte akses, ishin edhe ato të prokurorëve Behar Dibra, Enkeleida Millonai dhe Elida Kaçkini. Këta tre hetues ishin mbi dosje të rëndësishme që përfshijnë raste nga krimi i organizuar deri te zyrtarët e dyshuar për korrupsion.
Nga hetimet rezultoi se autor i këtij veprimi ishte Arnold Rrokaj, i cili i kishte shpërndarë materialet e marra te Zambak Gjonaj ish-zyrtar i burgut Vlorë dhe më pas te shokët dhe të njohurit e tij. Disa nga këto materiale kanë përfunduar në celularin e ish-kreut të burgjeve, Agim Ismaili, si dhe të Dritan Palnikaj, aktualisht sekretar në Ministrinë e Arsimit. Ismaili dhe Palnikaj kanë lidhje familjare mes tyre, daje dhe nip.
Mbetet e paqartë se pse materialet sensitive u janë dërguat atyre nga Rrokaj. Më herët Palnikaj, i cili ka qenë sekretar i përgjithshëm në disa ministri, është marrë në pyetje nga prokurorët si dhe i është sekuestruar telefoni. Ndër materialet e komprometuara ka të dhëna që lidhen me dosjen e inceneratorëve dhe hetime të tjera që përfshijnë zyrtarë të profilit të lartë dhe grupe kriminale. Ismali përveç detyrës së kreut të burgjeve, ka drejtuar për rreth 8 muaj dhe Inspektoriatin Kombëtar të Territorit./ZËRI