TIRANË- Gjykata Kushtetuese pranoi pjesërisht kërkesën e Onejda Ymerit lidhur me sekuestrimin e celularit të saj, duke hedhur poshtë vendimin e GJKKO-së dhe Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë. Celulari i Ymerit është sekuestruar në shkurt të vitit 2024. Kushtetuesja ka konstatuar se sekuestrimi i celularit të saj nga Prokuroria e Posaçme AntiKorrupsion ka cenuar të drejtën për lirinë dhe fshehtësinë e korrespondencës, si dhe mbrojtjen e të dhënave personale.
Kushtetuesja ka urdhër Prokurorinë e Posaçme (SPAK) të fshijë çdo material të marrë nga telefoni i Ymerit që nuk ka lidhje me dosjen hetimore për Arben Ahmetajn. Në vendim, theksohet se celulari i Onejda Ymerit është sekuestruar nga OPGJ pa vendim gjyqësor, dhe Kushtetuesja nënvizon se celulari nuk është send, por korrespondencë, dhe për këtë, duhet që gjykata të kishte të jepte vendim konkret.
NJOFTIMI:
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë (Gjykata) në datat 09.07.2025 dhe 15.07.2025 shqyrtoi çështjen me kërkuese Onejda Ymeraj me objekt: “Shfuqizimi i vendimeve nr. 93 (87-2024-134), datë 17.05.2024 të Gjykatës së Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; nr. 00-2024-1272, datë 11.07.2024 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë”.
Kërkuesja i është drejtuar Gjykatës për kundërshtimin e vendimeve gjyqësore që kanë rrëzuar ankimin e saj për sekuestrimin e celularit të saj nga Prokuroria e Posaçme, duke pretenduar cenimin e lirisë dhe fshehtësisë së korrespondencës, të drejtës për mbrojtjen e të dhënave personale dhe të drejtës së pronës private, në situatën që ajo nuk ka qenë subjekt i procedimit penal në kuadër të të cilit është marrë masa e sekuestrimit.
Gjykata u mblodh në datën 29.07.2025 dhe pasi mori në shqyrtim pretendimet e palëve vlerësoi sa vijon: Kërkuesja legjitimohet për paraqitjen e këtij ankimi kushtetues.
Për sa i përket pretendimit të kërkueses për cenimin e së drejtës së pronës private sipas nenit 41 të Kushtetutës, Gjykata vlerësoi se ajo nuk ka paraqitur argumente të mjaftueshme kushtetuese në mbështetje të këtij pretendimi, ndaj ai nuk mund të merret në shqyrtim.
Kurse për sa i përket pretendimeve të tjera të parashtruara, për nga natyra dhe thelbi i tyre, Gjykata vlerësoi që t`i shqyrtojë, në themel, në këndvështrim të nenit 36 të Kushtetutës, në drejtim të lirisë dhe fshehtësisë së korrespondencës dhe të së drejtës për mbrojtjen e të dhënave personale, në këndvështrim të nenit 35 të Kushtetutës.
Në lidhje me themelin e kësaj çështjeje Gjykata konstatoi se ka pasur ndërhyrje në të drejtat e kërkueses si më sipër dhe vlerësoi se, në kuptim të nenit 17 të Kushtetutës, ndërhyrja është bërë me ligj dhe për interes publik, duke u ndalur në analizën e testit të proporcionalitetit të saj.
Gjykata vlerësoi fillimisht se në konceptin kushtetues të korrespondencës sipas nenit 36 të Kushtetutës përfshihen edhe komunikimet elektronike për sa kohë që “korrespondenca” është koncept i gjerë që përfshin çdo komunikim të mendimit njerëzor (ide, synime, ndjenja, të dhëna, lajme) midis dy ose më shumë personave. Për rrjedhojë, mbrojtja kushtetuese e nenit 36 të Kushtetutës është e garantuar për korrespondencën, pavarësisht karakteristikave të mjetit me të cilin ajo realizohet për qëllime të transmetimit të mendimit. Në këtë kuptim, duke mbajtur parasysh edhe zhvillimet shoqërore e teknologjike, Gjykata vlerësoi se edhe komunikimet përmes postës elektronike dhe mesazhet e dërguara përmes plaftormave dhe aplikacioneve online të ndërveprimit (të ashtuquajturave sisteme të mesazheve të çastit) përfshihen në sferën e mbrojtjes së nenit 36 të Kushtetutës, për sa kohë që ato synojnë komunikimin e mendimit njerëzor në mënyrë ekuivalente me korresponcencën klasike përmes letrave apo mesazheve të mbyllura postare.
Gjykata vlerësoi se nga përmbajtja e neneve 36 dhe 35 të Kushtetutës liria dhe fshehtësia
së korrespondencës dhe e drejta për mbrojtjen e të dhënave personale janë të garantuara në nivel kushtetues, çka do të thotë se garancitë mbrojtëse nga arbitratiteti i autoriteve publike gjatë procesit penal detajohen në Kodin e Procedurës Penale. Në interpretimin e tyre Gjykata mban parasysh edhe garancitë sipas jurisprudencës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Gjykata vëren se Kodi i Procedurës Penale parashikon si garanci procedurale se sekuestrimi i korrespondencës, në çdo rast, duhet të jetë me vendim gjyqësor, i cili, si rregull, është paraprak.
Përjashtimisht, në kushte urgjence, korrespondenca mund të sekuestrohet edhe nga Policia Gjyqësore, e cila, në çdo rast, duhet të garantojë fshehtësinë e saj dhe sekuestrimi duhet t’i nënshtrohet kontrollit gjyqësor, i cili bëhet a posteriori, me prioritet, në një kohë të shpejtë.
Në çdo rast vendimi i gjykatës për sekuestrimin e korrespondencës nuk duhet të përcaktojë objektin e sekuestrimit me terma të gjera. Gjykata vëren, gjithashtu, se nëse sekuestrohet një pajisje elektronike që përmban korrespondencë ose të dhëna personale kjo do të përbënte jo vetëm sekuestrim të pajisjes per se por edhe të korrespondencës.
Pavarësisht sekuestrimit të pajisjes apo të vetë korrespondencës në kushtet e urgjencës si rast përjshtimor, Gjykata thekson se hapja apo hyrja (aksesimi) i saj duhet të bëhet sipas standardeve ndërkombëtare të cilat përfshijnë sa më poshtë:
Ndalimin e veprimeve të hyrjes, hapjes, nxjerrjes, inspektimit, përpunimit të të dhënave personale dhe të korrespondencës. Mbylljen e pajisjes/sendit në të cilën ndodhet korrespondenca apo të dhënat personale me vulë sigurie kur është e mundur në prani të individit dhe/ose avokatit të tij, duke u mbajtur procesverbal për këtë qëllim.
Ndalimin e bërjes së kopjeve të të dhënave personale dhe/ose korrespondencës pa autorizim të gjykatës. Gjykata vlerësoi se garancitë si më sipër vlejnë në të njëjtën mënyrë edhe në rastin e sekuestrimit të të dhënave personale në kuptim të nenit 35 të Kushtetutës.
Në përfundim, në rastin në shqyrtim, Gjykata, në konsideratë të rrethanave konkrete të kësaj çështjeje, si dhe duke pasur parasysh edhe vjetrimin e normës ligjore (nenit 209 të Kodit të Procedurës Penale) çka sjell problematika në zbatimin e saj, çmoi se kërkueses i është cenuar liria dhe fshehtësia e korrespondencës dhe e drejta për mbrojtjen e të dhënave personale, të sanksionuara nga nenet 36 dhe 35 të Kushtetutës.
Për sa më sipër, Gjykata vendosi:
Pranimin e pjesshëm të kërkesës.
Konstatimin e cenimit të lirisë dhe fshehtësisë së korrespondencës, si dhe të së drejtës për mbrojtjen e të dhënave personale për pjesën që ato nuk lidhen me objektin e hetimit penal.
Asgjësimin e kopjeve të korrespondencës dhe të dhënave personale të nxjerra nga celulari i kërkueses që nuk lidhen me objektin e hetimit penal.
Vijimin e mbajtjes në sekuestro të kopjeve të korrespondencës dhe të të dhënave personale që lidhen me objektin e hetimit penal, duke ia nënshtruar kontrollit gjyqësor.
Urdhërimin e zbatimit të garancive procedurale të parashikuara në arsyetimin e këtij vendimi për vijimin e mbajtjes në sekuestro të celularit si pajisje/send që mban korrespondencë dhe të dhëna personale.
Ngarkimin e Prokurorisë së Posaçme për ekzekutimin e vendimit brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e tij, duke respektuar garancitë procedurale sipas arsyetimit të këtij vendimi.
Gjykata thekson se ky vendim nuk ka fuqi prapavepruese ndaj çështjeve të ngjashme të sekuestrimit për të cilat nuk është paraqitur ankim apo për të cilat është paraqitur ankim dhe kontrolli gjyqësor ka përfunduar.
Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577/2000 dhe Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese./ZËRI


