Aktualitet

Nën lupën e SPAK, TikTok si 'spiun' i parave të pista

Videot dhe materialet që mund të përfundojnë në duart e SPAK mund të mos publikohen drejtpërdrejt nga vetë personat që janë nën hetim, por nga partnerët apo të afërmit e tyre, por mund të shërbejnë si indicie për të nisur ose thelluar hetimet mbi pasurinë e pajustifikuar.

Florida Mingla
Nën lupën e SPAK, TikTok si 'spiun' i parave të pista
Gazetarja Florida Mingla dhe foto ilustruese

TIRANË- Ajo që dikur ishte vetëm një platformë për video argëtuese, kërcime virale dhe trende, sot është kthyer në një burim informacioni për drejtësinë.

TikTok, rrjeti social më i përdorur nga të rinjtë, është bërë tashme një “spiun” modern i stilit të jetesës dhe një pasqyrë e qartë e luksit të pajustifikuar që, shpeshherë, nuk përputhet me të ardhurat e deklaruara të personave që janë vendosur nën hetim.

Për prokurorët e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), TikTok nuk është më thjesht një aplikacion, por një mjet për gjurmim pasurie, një burim i hapur për ta.

Videot dhe materialet që mund të përfundojnë në duart e SPAK mund të mos publikohen drejtpërdrejt nga vetë personat që janë nën hetim, por nga partnerët apo të afërmit e tyre, por mund të shërbejnë si indicie për të nisur ose thelluar hetimet mbi pasurinë e pajustifikuar.

Në lupën e SPAK janë veshjet e shtrenjta, makinat luksoze, udhëtimet e shpeshta jashtë vendit dhe ambientet ekstravagante që shfaqen në video. Të gjitha këto do të hetohen e grumbullohen nga një strukturë speciale e analizës dixhitale e ngritur nga SPAK. Materialet e grumbulluara do të krahasohen me deklaratat e pasurisë dhe të ardhurat e ligjshme të personave në hetim.

Nga hetimet e bëra deri një vit më parë, SPAK ka sekuestruar dhjetëra milionë euro pasuri si të dyshuara të financuarra nga të ardhura me origjinë kriminale. Vetëm gjatë vitit të kaluar janë sekuestruar:

-20 apartamente luksoze në Tiranë dhe bregdet

-8 automjete të klasit të lartë, përfshirë Bentley, Porsche dhe Range Rover

-Llogari bankare të ngrira me mbi 5 milionë euro në total

-Biznese fasadë si bare, lounge, agjenci udhëtimesh dhe pika këmbimi valutor

-Toka dhe ndërtime pa leje, të lidhura me eksponentë të krimit të organizuar

Shumë prej tyre janë zbuluar përmes postimeve në rrjetet sociale që duket se janë një armë e fortë tashmë në duart e prokurorëve të posaçëm.

Siç duket, lufta kundër krimit të organizuar dhe parave të pista po zhvillohet jo vetëm në sallat e gjyqit, por edhe në botën virtuale. Naiviteti i vetë individëve dhe dëshira për të qenë në qendër të vëmendjes janë ushqimi i ri për drejtësinë./ZËRI/ 

Poll

MOS HUMB