TIRANË-Gjykata e Posaçme ka shtyrë seancën gjyqësore ndaj kryebashkiakes së Roskovecit, Majlinda Bufi. Shkak është bërë mungesa e kryebashkiakes në sallën e gjyqit.
“Për shkak se ndodhemi në fazën e konkluzioneve të mbrojtjes, e mbrojtura dëshiron të jetë e pranishme”, tha avokati i saj Klodian Skënderi, duke paraqitur disa bileta udhëtimi, mes të cilave provonte se Bufi ndodhej jashtë vendit.
Edhe seancën e kaluar, kryetarja e Bashkisë Roskovec, mungoi ku GJKKO vendosi një ultimatum të fundit se nëse nuk do të paraqiten në seancën e radhës, procesi do të vijojë pa praninë e tyre.
Bufi nuk rrezikon të shkojë në qeli, pasi SPAK ka kërkuar pezullimin e dënimit duke e konvertuar në 2 vite shërbim prove. Nga hetimet rezulton se e pandehura Majlinda Bufi, në detyrën e Kryetares së Bashkisë Roskovec, në kundërshtim me ligjin, i ka kërkuar shtetasit, G.B, të mos marrë pjesë në votimet për zgjedhjet vendore të 14 Majit 2023 dhe të mos përfshihet në veprimtaritë zgjedhore të partive të tjera politike, duke e kërcënuar.
E pandehura, me pretendimin se po e “mbronte” shtetasin nga një situatë të supozuar të paligjshme, i ka kërkuar atij të heshtë dhe të mos votojë farë në zgjedhjet e 2023. Kërkesa e të pandehurës Majlinda Bufi, drejtuar shtetasit G.B është bërë nën kërcënimin e masave administrative dhe kundër vullnetit të tij./ZËRI