TIRANË- Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka pranuar kërkesën e Ajola Xoxës për heqjen e masës së sigurisë “detyrimin për t’u paraqitur” dhe për “ndalimin e daljes jashtë shtetit” për shkak të gjendjes shëndetësore. Shkak është bërë shtatzënia e saj, si dhe disa komplikacione shëndetësore që ajo ka shfaqur së fundmi.
Më datë 26 mars, Xoxa depozitoi kërkesë në GJKKO që të hiqen masat e sigurisë ndaj saj. Kërkesa u shqyrtua nga gjyqtarja Engjëllushe Tahiri, e cila është gjyqtare themeli edhe në procesin ndaj Erion Veliaj. Fëmija i dytë i çiftit vjen në një moment delikat për çiftin, për shkak të zhvillimeve gjyqësore që po marrin vëmendje publike.
Ajola Xoxa akuzohet për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë), “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.
Erion Veliaj u vendos në pranga më 10 Shkurt. Që prej asaj dite, Veliaj është mbajtur në qelinë e paraburgimit me kërkesë të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pasi mbi të rëndojnë disa vepra penale. SPAK e akuzon Veliajn se bashkë me të shoqen ka krijuar një skemë përfitimi ryshfetesh për pasurim personal përmes një numri organizatash OJF. Kështu kanë përfituar së paku 1.1 milionë euro në 9 raste./ZËRI

