TIRANË- Punimet e ndërtimit në zonat turistike do të pezullohen përkohësisht gjatë sezonit veror 2026. Përmes një postimi në "X", ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, ka njoftuar zbatimin e ligjit nr. 83/2026 dhe vendimit të Këshillit të Ministrave për ndalimin e ndërhyrjeve ndërtimore në zonat turistike.
Ministri thekson se masa hyn menjëherë në fuqi dhe do të jetë në zbatim deri më 15 shtator 2026. Sipas ministrit, vendimi përcakton qartë zonat ku do të zbatohet pezullimi, rregullat dhe masat administrative që do të merren, etj.
Postimi i plotë:
Jo dam dum në sezon! Në zbatim të ligjit nr. 83/2026 dhe vendimit të Këshillit të Ministrave, gjatë sezonit turistik 2026 pezullohen përkohësisht punimet e ndërtimit dhe aktivitetet e lidhura me to në zonat turistike.
Periudha e pezullimit fillon me hyrjen në fuqi të këtij vendimi dhe përfundon më 15 shtator 2026.
Kjo masë synon të garantojë zhvillimin normal të sezonit turistik, mbrojtjen e destinacioneve turistike dhe një mjedis më të qetë e cilësor për qytetarët dhe vizitorët.
Vendimi përcakton qartë:
Punimet që pezullohen;
Punimet që përjashtohen nga pezullimi;
Zonat ku zbatohet masa;
Rregullat për lejet e ndërtimit;
Masat administrative në rast shkeljesh;
Institucionet përgjegjëse për monitorimin dhe zbatimin e tij.
Ftojmë të gjitha subjektet që ushtrojnë veprimtari ndërtimore të respektojnë kërkesat e legjislacionit në fuqi dhe të bashkëpunojnë me institucionet përgjegjëse për garantimin e një sezoni turistik të qetë, të sigurt dhe me standarde të larta.
Ne seancën plenare të 16 korrikut, Partia Socialiste propozoi projektligjin e ri për turizmin i cili parashikon pezullimin e të gjitha punimeve të ndërtimit në zonat bregdetare gjatë sezonit veror. Ishte kreu i Grupit të PS, Balla ai i cili, njoftoi propozimin që sipas tij, do të garantojë cilësi më të lartë ndaj turistëve në Shqipëri./ZËRI