Aktualitet

"Mos lëviz!" Arrestohen 3 "transportuesit" me 5 kg kanabis në Sarandë, njëri "ruante" policinë (VIDEO)

Gjatë kontrollit të njërit prej automjeteve, policia gjeti dhe sekuestroi 5 kilogramë lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa.

zh.ll
"Mos lëviz!" Arrestohen 3 "transportuesit" me 5 kg
pamje nga policia

SARANDË- Tre persona janë arrestuar nga Policia e Sarandës gjatë një operacioni antidrogë të koduar “Transportuesit”. Të arrestuarit u kapën në flagrancë në rrugën “Nivicë–Sarandë”, pranë urës së Kakomesë, teksa lëviznin me dy automjete dhe dyshohet se po transportonin lëndë narkotike.

Gjatë kontrollit të njërit prej automjeteve, policia gjeti dhe sekuestroi 5 kilogramë lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa.

Sipas njoftimit të bluve, njëri prej të arrestuarve dyshohet se lëvizte me automjetin tjetër për të monitoruar itinerarin dhe për të sinjalizuar praninë e shërbimeve të policisë.

Njoftimi:

Në Sarandë, si rezultat i hetimeve proaktive 3-javore të kryera me metoda speciale të hetimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale të DPPSh-së dhe Forcën Kombëtare të Sigurisë, Njësia Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Sarandës, finalizuan operacionin policor të koduar "Transportuesit".

Gjatë operacionit u vunë në pranga 3 shtetas:

- A. N., 31 vjeç, banues në Lukovë, me precedent penal në fushën e narkotikëve dhe për armëmbajtje pa leje;
- K. J., 26 vjeç, banues në Sarandë, me precedent penal në fushën e narkotikëve;
- A. C., 30 vjeç, banues në Lukovë.

Tre shtetasit u kapën në flagrancë në rrugën "Nivicë–Sarandë", pranë urës së Kakomesë, duke lëvizur me dy automjete. Gjatë kontrollit në automjetin që drejtonte A. N., ku udhëtonte edhe A. C., u gjetën dhe u sekuestruan 5 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa, e dyshuar se transportohej me qëllim shitjen në Sarandë dhe Ksamil.

Nga hetimet dyshohet se shtetasi K. J. lëvizte me automjetin tjetër për të monitoruar itinerarin dhe për të sinjalizuar praninë e shërbimeve të Policisë.

Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Poll

MOS HUMB