TIRANË- Në Apelin e Posaçëm u zhvillua këtë të premte seanca gjyqësore ndaj ish-deputetit socialist Jurgis Çyrbja, Altin Hajrit dhe Ahmet Mashës, të cilët ankimuan vendimin e Shkallës së Parë që i shpalli fajtor. Gjatë seancës, mbrojtja e Çyrbes ka pretenduar se vendimi i shkallës së parë është i paarsyetuar dhe se nuk ka prova për veprën penale të nxjerrjes së sekretit shtetëror apo për korrupsion në zgjedhje.
Ilir Murati, avokati mbrojtës i Çyrbes i kërkoi gjykatës prishje të vendimit të Shkallës së Parë dhe rikthim për gjykimin të çështjes.
“Nuk rezulton të keni sjellë që i pandehuri të ketë marrë informacion nga një zyrë Interpoli apo nga policia dhe t’ua ketë dhënë të tjerëve, sepse po të kishte ndodhur kështu, pyetja është kujt ia mori sekretin, cilit drejtor Interpoli apo drejtor i policisë vendore”, u shpreh Ilir Murati.
Nga ana tjetër, të pandehurit, Ahmet Masha dhe Altin Hajri, ky i fundit në kërim prej disa vitesh, kërkuan pafajësinë.
SPAK ka kërkuar lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës së Posaçme (GJKKO), duke kundërshtuar pretendimet e mbrojtje. Ndërkohë që seanca për shpalljen e vendimit është shtyrë për në datën 24 prill.
Ish-deputeti socialist, Jurgis Çyrbja, u lirua nga burgu më 20 shkurt të këtij viti, pasi ka përfunduar dënimin e 16 muajve me kohën e paraburgimit.
Çyrbja u dënua nga GJKKO me 3 vite burgim, ndërsa pas përfitimit nga gjykimi i shkurtuar, dënimi i tij u reduktua në 2 vite burg. Ish-deputeti socialist Jurgis Çyrbja, u arrestua me urdhër të SPAK mbrëmjen e 20 tetorit 2024. Bashkë me të u arrestua edhe kunati i tij, Ahmet Masha. SPAK përfundoi hetimet më 15 korrik 2025 dhe dërgoi për gjykim Jurgis Çyrbjan, Ahmet Mashën dhe Altin Hajrin.
Ish-deputeti sipas hetimit ka strehuar Altin Hajrin dhe e ka ndihmuar me informacione për goditjet e Policisë. Hajri rezulton i shpallur në kërkim ndërkombëtar. Sipas hetimit, ka rezultuar e provuar se Jurgis Çyrbja, Altin Hajri dhe Ahmet Masha kanë koordinuar aktivitete të ndryshme kriminale përmes komunikimeve në “Sky ECC” dhe “Matrix”.
Janë faktuar 8 episode gjatë periudhës 1 Maj 2020 deri më 8 Mars 2021. Të akuzuarit janë vënë në dijeni të të dhënave në sistemin “TIMS”, mbi një person të shpallur në kërkim, si edhe të disa informacioneve sekrete të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, deklaronte SPAK./ZËRI