TIRANË-7 efektivë të policisë kanë marrë pezullim disiplinor nga detyra për moszbatim të përmbushjes së detyrave lidhur me kultivimin e kanabisit në një banesë në pronësi të drejtorit të burgut të Rrogozhinës, Bilal Hasa në Peqin. Nga detyra janë pezulluar shefi i Komisariatit të Peqinit, Altin Gusho, Shefi i Krimeve, Danjel Kacaniku dhe 5 efektivë: Sefer Dushku, Muharrem Zylyfi, Bilbil Lita dhe Denis Sinani.
Gjatë operacionit të policisë më 19 mars, u zbuluan 2 ambiente të përshtatura për kultivimin e bimëve narkotike në një banesë në pronësi të drejtorit të Burgut të Rrogozhinës, Bilal Hasa. Në cilësinë e provës materiale, u sekuestruan rreth 4000 bimë kanabisi, llamba, neonë dhe pajisje të tjera elektrike. Drejtori i Burgut u vetëdorëzuar në Polici dhe do të hetohet në gjendje të lirë, ndërsa në kërkim është shpallur vëllai i tij, Romario Hasa. Në kërkim është edhe një përgjegjës i OSHEE-së, Ervis Maçi dhe një zyrtar tjetër Denis Elezi.
NJOFTIMI:
Pezullohen nga detyra 7 punonjës policie, për moszbatim haptazi të dispozitave ligjore për përmbushjen e detyrave funksionale, në lidhje me rastin e kultivimit të bimëve narkotike në 2 ambiente të mbyllura, në fshatin Kurtaj, Peqin, më datë 19.03.2026.
Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale, të kryera në vendngjarje, me porosi të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, me qëllim përcaktimin e përgjegjësisë ligjore, lidhur me rastin e kultivimit të bimëve narkotike në 2 ambiente të mbyllura, në fshatin Kurtaj, Peqin, që u zbuluan më datë 19.03.2026, Drejtoria e Standardeve Profesionale filloi hetim disiplinor, në zbatim të nenit 121, pika 1, germa “i”, të ligjit “Për Policinë e Shtetit”, “Moszbatim haptazi i dispozitave ligjore për përmbushjen e detyrave funksionale”, për punonjësit e Policisë:
Komisar A. G., me detyrë Shef i Komisariatit të Policisë Peqin;
Komisar D. K., me detyrë Shef i Krimeve në Volum, në Komisariatin e Policisë Peqin;
Nënkomisar S. D., me detyrë Specialist i Policisë Kriminale, në Komisariatin e Policisë Peqin;
Inspektor M. Z., me detyrë Specialist i Policimit në Komunitet, në Komisariatin e Policisë Peqin;
Nënkomisar B. L., ish-shef i Komisariatit të Policisë Peqin, aktualisht me detyrë Shef i Komisariatit të Policisë Devoll;
Komisar D. S., ish-shef i Krimeve në Volum në Komisariatin e Policisë Peqin, aktualisht me detyrë Shef i Krimeve në Volum në Komisariatin e Policisë Devoll;
Inspektor A. K., ish-ndihmësspecialist për Policinë Kriminale (agjent) në Komisariatin e Policisë Peqin, aktualisht me detyrë trupë shërbimi në Njësinë e Pritjes dhe Sigurisë në Gjadër.
Për këta punonjës, për mangësi të konstatuara gjatë përmbushjes së detyrës, bazuar në nenin 163, pika 3, germa “a”, e rregullores së Policisë së Shtetit, miratuar me VKM nr. 112, datë 24.02.2025, u bë pezullimi disiplinor nga detyra.
Policia e Shtetit është e vendosur për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike, për të çuar para drejtësisë autorët e saj, si dhe për të ndëshkuar cilindo punonjës policie që nuk përmbush detyrat funksionale, që bëhet ndihmës apo palë me shtetasit që kryejnë këtë veprimtari./ZËRI

