Aktualitet

Dosja "Veliaj"/Të pandehurit kërkojnë gjykim të veçuar-Bushka: S'ka prova, s'jam më deputete! Ndreca: Jemi pa akte

Detaje të tjera nga seanca gjyqësore janë zbardhur nga seanca, ku burime bëjnë me dije se shumë prej të pandehurve kërkojnë gjykim të shkurtuar dhe të veçuar

zh.ll
Dosja "Veliaj"/Të pandehurit kërkojnë gjykim të
FOTO ILUSTRUESE

TIRANË- Sot në Gjykatën e Posaçme ka nisur seanca ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj dhe 29 të tjerëve, shoqëruar me tensione dhe debate mes palëve mbrojtëse dhe prokurorëve. Detaje të tjera nga seanca gjyqësore janë zbardhur nga seanca, ku burime bëjnë me dije se shumë prej të pandehurve kërkojnë gjykim të shkurtuar dhe të veçuar

Mbrojtja e biznesmenit Elman Abule ka kërkuar që gjykimi i tij të zhvillohet veçmas nga ai i Veliajt. Në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), avokatja Romina Zano ka deklaruar se veprat penale për të cilat akuzohet Abule nuk janë kompetencë e GJKKO. Ajo ka kërkuar gjithashtu që çështja e tij të shqyrtohet me gjykim të shkurtuar.

Gjithashtu, edhe avokati Henrik Ligori, që përfaqëson ish-deputeten Klotilda Bushkën, nënvizoi se klientja e tij nuk e ka pranuar akuzën dhe e ka konsideruar të pambështetur në prova dhe fakte. Mbrojtja ka kërkuar shpalljen e moskompetencës së GJKKO-së, pasi ajo nuk është më deputete. Avokati Henrik Ligori ka kërkuar dhe pushimin e çështjes.

Avokati Sokol Hazizaj, që përfaqëson shoqërinë Kontakt dhe Fatmir Bektashin nënvizoi se në seancën e kaluar kishte kërkuar ndarjen e çështjes dhe gjykim me procedurë të shkurtuar. Prokurori Ols Dado u shpreh se më parë duhet të shqyrtohen kërkesat paraprake të mbrojtjes para se të kalojnë tek gjykimi i shkurtuar.

E njëjta kërkesë, për shpalljen e moskompetencës për gjykim nga GJKKO ka ardhur dhe nga avokati i biznesmenit Mirton Lika.

Kristina Marku, në cilësinë e avokates së Ina Goxhës kërkoi gjykim të shkurtuar dhe veçimin e çështjes për të pandehurit që nuk mund të jenë pjesë e një gjykimi me shumë të pandehur, duke theksuar se disa prej tyre ndodhen në gjykim të zakonshëm.

Ivi Rrokaj, që mbron interesat e të pandehurës Flutura Xhani, kërkoi gjithashtu gjykim të shkurtuar, ndarjen e çështjes dhe dërgimin e saj për gjykim në një tjetër gjykatë, pasi sipas tij kjo gjykatë nuk ka kompetencë.

Ndërkohë që avokati i kryebashkiakut Veliaj, Plarent Ndreca, paraqiti pretendime shtesë për mungesë fshikujsh në dosje. 

Kërkesat e mbrojtjes në seancë:

Avokatja Romina Zano: Kërkon që të ndahet çështja për Elman Abulen dhe më pas shpalljen e moskompetencës lëndore nga ana e gjykatës së posaçme dhe dërgimin e çështjes për gjykim në një tjetër gjykatë.

Elman Abule: Unë kërkoj gjykim të shkurtuar, i qëndroj kërkesës së bërë nga ana e avokates.

Dritan Jahaj, përfaqësues i Mirton Likës dhe shoqërisë së tij LAL ShPK: Kërkesa jonë ka të bëjë me konstatimin e kompetencës lëndore. Ne konstatojmë që kjo gjykatë nuk është kompetente për të gjykuar këto vepra, kërkojmë që çështja të kalojë në një tjetër gjykatë.

Avokat Henrik Ligori: Për të pandehurën Klotilda Bushka, e mbrojtura prej nesh zonja Bushka që në fazën e hetimit paraprak, nuk e ka pranuar akuzën dhe e ka cilësuar si të pambështetur në prova dhe fakte. Gjyqtari i seancës paraprake e kaloi çështjen për gjyq, ne kemi kërkuar pushimin e çështjes në atë proces. Së pari pari konfirmojmë kërkesën për gjykim të shkurtuar, kërkojmë ndarjen e çështjes dhe moskopetencën lëndore të kësaj gjykate dhe dërgimin e çështjes në një tjetër gjykatë. Ne kemi sjell një dokument që Bushka nuk është më deputete.

Avokati Lulëzim Bajramemaj: Për Frosina Bollon dhe shoqërinë, kërkojmë gjykim të shkurtuar dhe ndarjen e çështjes në lidhje vijim e gjykimit të çështjes.

Avokat Leonard Repi: Për të pandehurën Adela Kondakçiu ne kërkojmë që të gjykohemi me procedurën e gjykimit të shkurtuar dhe veçimin e çështjes.

Ols Dado: Kërkesa e mbrojtës së zotit Veliaj për një afat prej dy javësh, është e panevojshme, sepse zoti Veliaj ka ndryshuar disa mbrojtës, aktet i janë dhënë, sepse mund te jemi serish edhe pas një muaj me të njëjtën situatë, ndryshim avokati dhe ai do të kërkojë kohe për t’u njohur me aktet. Për të pandehurin Elman Abulen dhe shoqërinë ‘Rametal’, që kërkojnë moskopetencë, kërkojmë që të rrezohet, pasi jemi në një procedim të lidhur. Ndërsa për gjykimin e shkurtuar dhe ndarjen e çështjes do të shprehemi në momentin e duhur procedural. Përsa i përket të pandehurës Klotilda Bushka situata është edhe më e qartë për shkak të funksionit të saj.

Avokatja Romina Zano: Ne kërkojmë gjykim të shkurtuar por edhe ndarjen e çështjes nga të gjithë të bashkëpandehurit e tjerë.

Avokat Plarent Ndreca: Të mbrojturit prej meje i mungojnë 24 fashikuj. Ne jemi pa akte dhe nuk mund të bëjmë një mbrojte efektive./ZËRI

Poll

MOS HUMB