KORÇË- Detaje të reja janë mësuar për ngjarjen në fshatin Bulgarec të Korçës, ku 78-vjeçari Gëzim Vija u gjet i pajetë brenda banesës së tij. Raportohet se trupi i pajetë i 78-vjeçarit është gjetur mëngjesin e së enjtes nga punonjësi i postës, i cili shpërndan pensionet. Ky i fundit ka thirrur disa herë pas derë, por kur nuk marrë përgjigje, ka njoftuar fqinjët e tij. Më pas, së bashku ata hapën derën e shtëpisë dhe e gjetën të moshuarin të pajetë në një prej dhomave.
Ekspertiza mjeko-ligjore ka konstatuar se 78-vjeçari kishte një plagë të thellë në kokë, e shkaktuar me mjet të fortë, çfarë i ka sjellë vdekjen. Dyshohet se autori dhe viktima janë përleshur para se 78-vjeçari të qëllohej për vdekje me mjet të fortë.
Policia dhe ekspertët janë kthyer sot në vendin e ngjarjes, ndërsa ende nuk është gjetur mjeti me të cilin u krye vrasja. Ndërkohë, vazhdon marrja në pyetje e familjarëve dhe të afërmve të viktimës, por deri tani deklarimet e tyre nuk kanë dhënë informacione të vlefshme që do orientonin policinë drejt identifikimit të autorit.
78-vjeçari Gëzim Vija, baba i katër fëmijëve jetonte i vetëm prej më shumë se 25 vitesh, është gjetur i pajetë brenda banesës së tij në Bulgarec të Korçës. Hetimet janë përqendruar në dy pista, atë të vjedhjes me pasojë vdekjen pavarësisht se në banesën e viktimës nuk janë konstatuar vjedhje të hollash apo sende me vlerë, dhe vrasja për motive të tjera. /ZËRI
