
TIRANË- Policia e Shtetit ka vendosur në pranga një 33-vjeçar, i cili qarkullonte me armë zjarri në automjet në Tiranë. Në pranga ka rënë i riu Elden Dushku, banues në Lezhë, i cili u ndalua nga uniformat blu në kryeqytet. Gjatë kontrollit të mjetit, Dushkut i është gjetur edhe arma e zjarrit, e cila ka qenë e mbështjellë me çorape. Ndërkohë po vijojnë hetimet për të zbuluar qëllimin për të cilin ky shtetas qarkullonte me armë zjarri.
NJOFTIMI I PLOTË:
Tiranë/Vijojnë operacionet e njëpasnjëshme për goditjen e veprimtarisë kriminale të armëmbajtjes pa leje. Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 3, operacioni policor i koduar “Flagranca 1”. Qarkullonte me armë zjarri në automjet, vihet në pranga 33-vjeçari.
Sekuestrohen arma e zjarrit dhe municioni luftarak. Në vijim të punës për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, shërbimet e Policisë kanë organizuar punën dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Flagranca 1”, si rezultat i të cilit u arrestua në flagrancë shtetasin E. D., 33 vjeç, banues në Lezhë.
Ky shtetas është ndaluar nga shërbimet e Policisë, ndërkohë që drejtonte automjetin tip “Benz”, në të cilin, gjatë kontrollit, shërbimet e Policisë gjetën 1 armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Vijojnë hetimet për të zbuluar qëllimin për të cilin ky shtetas qarkullonte me armë zjarri. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme./ZËRI