
TIRANË- I vetmi i dënuar deri tani për skandalin "CEZ- DIA", Kastriot Ismailaj vazhdon betejën e tij me drejtësinë! Ismalaj tashmë po kërkon pafajësinë edhe në Gjykatë Kushtetuese, edhe pse e ka përfunduar dënimin e tij dhe është liruar nga qelia. Pas kërkesës së tij, Gjykata Kushtetuesja e ka kaluar çështjen për shqyrtim dhe pritet që të mbajë seancë plenare për dosjen më 19 qershor.
Pak muaj më parë, Gjykata e Lartë rrëzoi rekursin e ish-administratorit të kompanisë "DIA" dhe la në fuqi vendimin e shkallës së parë, duke dënuar me 11 vite burg Ismailajn. Ai u gjet fajtor për kryerjen e veprës penale “mashtrim me pasoja të rënda” dhe “pastrim parash”, për mbledhjen e borxheve të prapambetura të CEZ.
Kastriot Ismailaj u arrestua më 12 Maj 2015 nga Sektori i Pastrimit te Parave dhe ai i Krimit Ekonomik dhe Financiar. Ismailaj u akuzua për “mashtrim me pasoja të rënda” dhe “pastrim të parave”, vepra këto të kryera në bashkëpunim me persona të tjerë. Sipas akuzës, Ismailaj duke falsifikuar dokumentat arriti të përvetësojë nga kompania CEZ, rreth 5 milionë Euro për një shërbim të cilin s’e kishte kryer. Çështja u rikthye në dyert e SPAK pas një kërkesë që deputeti Taulant Balla bëri për rigjykimin e dosjes në vitin 2020 në ngarkim të disa personave, ndër ta edhe ish-kryeministrit Sali Berisha.
Biznesmeni ishte pronari i kompanisë “DIA”, e cila lidhi marrëveshje me “CEZ-Albania” me qëllim mbledhjen e borxheve financiare të klientëve që kishin detyrime financiare në mospagimin e energjisë elektrike në Shqipëri. Por kjo marrëveshje ishte një dështim total dhe mashtrim me vlerë dëmi 5 milion euro. Për shkak të humbjeve të mëdha, që pësoi kompania me qendër në Pragë dhe mos mbledhja e borxheve, shteti Shqiptar vendosi të largojë firmën energjitike Çeke,“CEZ-Albania”. Për rrjedhojë CEZ, nisi proces arbitrazhi kundër Shqipërisë për dëmet dhe Shqipëria u detyrua t’i paguajë CEZ-it 95 milionë euro për të rimarrë pronësinë e kompanisë.
Ndërsa në Shqipëri, prokuroria nisi paralelisht një proces penal, duke arrestuar e dënuar me 11 vite burgim Kastriot Ismailaj. Njëherësh këtij të fundit ju konfiskuan 5 milion euro në llogaritë e tij bankare, duke ja kaluar buxhetit të shtetit. Marrëveshja “CEZ Albania” dhe “DIA”, vijon të hetohet nga SPAK dhe shfaqë shqetësim për funksionare dhe ish-funksionare të lartë të shtetit. Lidhur me këtë çështje, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka marrë nën akuzë edhe presidentin e Partisë së Lirisë, Ilir Metën. Dosja ende po hetohet dhe nuk ka kaluar për gjykim./ZËRI