ELBASAN- Mungesa e ujit të pijshëm prej katër muajsh ka nxjerrë në protestë banorët e fshatit Fushë-Buall në Elbasan. Përfaqësues të 92 familjeve u mblodhën para Bashkisë duke kërkuar zgjidhje për ndërprerjen e furnizimit me ujë që sipas tyre lidhet me dëmtimin e burimeve natyrore gjatë punimeve për ndërtimin e një hidrocentrali.
View this post on Instagram
Banorët ia atribuojnë problematikën punimeve të kompanisë koncesionare 'Egnatia Hydropower'. Ata kërkojnë ndërhyrjen e institucioneve përgjegjëse për të verifikuar situatën dhe për të rikthyer furnizimin me ujë të pijshëm, ndërsa theksojnë se mungesa e tij po vështirëson ndjeshëm jetën e përditshme.
Në protestë ishte e pranishme edhe këshilltarja bashkiake e Partisë Demokratike Bianka Çopja e cila kritikoi Bashkinë për mënyrën se si janë trajtuar shqetësimet e banorëve.
Pas protestës nënkryetari i Bashkisë së Elbasanit Asim Sula u premtoi banorëve ngritjen e një grupi të përbashkët pune. Në përbërje të tij pritet të jenë edhe përfaqësues të ujësjellësit, të cilët do të inspektojnë zonën ku po kryhen punimet për hidrocentralin.
Inspektimi synon të verifikojë problematikat e ngritura nga banorët dhe të shqyrtojë situatën në terren. Megjithatë 92 familjet e Fushë-Buallit vijojnë të presin një zgjidhje konkrete për rikthimin e ujit të pijshëm pas katër muajsh pa furnizim./ZËRI