Aktualitet

Kë përgjuan italianët? Gazetarët: Pajisje përgjimi në Shqipëri, pritet t'i nënshtrohen ekspertimit...Çfarë ndodhi në Portin e Durrësit

Dervishi ngre dyshimet se një pajisje e tillë mund të jetë përdorur për krimin e organizuar, mund të jetë përdorur për politikën, mund të jetë përdorur për shumë gjëra.

zh.ll
Kë përgjuan italianët? Gazetarët: Pajisje përgjimi
porti i durresit

TIRANË- Gazetari Ferdinand Dervishi ka dhënë detaje në lidhje me kapjen e disa pajisjeve përgjuese të paligjshme që kanë hyrë në territorin shqiptar nga tre shtetas italianë, pasi u zbuluan në një automjet në Portin e Durrësit me të cilin udhëtonin 3 persona. I ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, Dervishi bëri me dije se bëhet fjalë për pajisje përgjimi, që kur i afrohet një antene, e duplikon atë. Dervishi ngre dyshimet se një pajisje e tillë mund të jetë përdorur për krimin e organizuar, mund të jetë përdorur për politikën, mund të jetë përdorur për shumë gjëra.

“Janë njerëz që kanë ardhur nga Italia, që punojnë për llogari të strukturave të ligjshme të shtetit italian, strukturave të policisë, antimafias, kanë ardhur, por nuk e dimë saktësisht kohën. Klodi thotë për dymbëdhjetë orë, nuk e dimë saktësisht kohën se çfarë. Unë di që ngjarja ka ndodhur disa ditë më parë jo dy ditë më parë, tre apo katër ditë më parë. Është mbajtur goxha sekret dhe ka një terr informativ. Nuk është e pakët që të vijë një pajisje e tillë të instalohet në Shqipëri. Ajo pajisje, kur i afrohet një antene, e duplikon atë, shtiret sikur është antena telefonike, ta zëmë që është në Dajt, dhe ajo shtiret si e tillë, duke kapur sipas atyre një numër që mund të kenë ata të një celulari apo diçka e tillë, ose pa pa numër fare, kap një një trafik të caktuar dhe identifikon një trafik të caktuar telefonatash. Mund të jetë përdorur për dy orë për një takim si ai i Arubës, mund të jetë përdorur për krimin e organizuar, mund të jetë përdorur për politikën, mund të jetë përdorur për shumë gjëra. Ka shumë pikëpyetje. Klodi tha dymbëdhjetë orë, por mund të ketë qënë dhe dy ditë, dhe një javë, dhe një muaj këtu. Nuk është çudi kjo pajisje. Kur pyetëm inteligjencën artificiale, se këto pajisje e mbajnë informacionin apo informacionin e transmetojnë na dha përgjigje se  informacioni ikën, transmetohet. Pra, ata s'kishin nevojë për ta mbajtur pajisjen se nuk ka asnjë rëndësi për italianët. Me sa di unë, është bërë dhe një debat shumë i madh për t'i ndaluar këta, ose jo. Një debat që është futur në linja politike dhe diplomatike, shumë fort dhe përfundimisht kanë triumfuar italianët që i kanë lejuar. Pra, është një përgjim”- tha Dervishi.

Ndërkohë, gazetarja Klodiana Lala shprehet se ngjarja në fjalë nuk ka marrë vëmendjen e mediave dhe është fshehur, megjithëse bëhet fjalë për një skandal të madh në territorin shqiptar. Lala bën me dije se janë pajisje të sofistikuara përgjimi dhe aktualisht janë në ambjentet e Prokurorisë së Durrësit, të bllokuara dhe pritet t'i nënshtrohen ekspertimit. Sipas gazsetares, policia nuk ka reagim zyrtar, ndërsa në mënyrë të fshehtë e ka dërguar në prokurori për dy vepra, përgjimi i paligjshëm dhe futja e mallrave kontrabandë.

Sa i përket ndalim të 3 shtetasve italianë, gazetarja thotë se ata janë prezantuar si punonjës të Guardia di Finanza dhe dy prej tyre kanë rezultuar se ishin vërtetë të tillë, ndërsa ngre shqetësimin se pse ata janë lejuar të largohen duke qenë se lëvizin për anëtarë të krimit të organizuar ose politikanë që mund të kenë lidhje me krimin e organizuar. 

"Ngjarje që nuk ka marrë vëmendjen në media, nuk e kuptoj pse. Bëhet fjalë për një skandal të madh që po konsumohet në territorin e Shqipërisë. Pajisjet janë pajisje të sofistikuara përgjimi, janë në ambjentet e Prokurorisë së Durrësit. Kam rënë në dijeni të shtunën, më është konfirmuar se disa persona kishin udhëtuar me traget të linjës Bari-Durrës, kishin mbërritur të premten në Portin e Durrësit. Në automjetin e tyre, sipas burimeve të besuara, janë tre shtetas italianë, kanë hyrë në Shqipëri, kanë qëndruar 12-13 orë, mendohet se kanë kryer përgjime të paligjshme, të paautorizuar, nuk ka patur skuadër të përbashkët, pasi kanë përfunduar punën këta shtetas janë ndaluar kur do të merrnin tragetin Durrës-Ankona. Janë prezantuar si punonjës të Guardia di Finanza. Dy prej tyre kanë rezultuar se ishin vërtetë të tillë. Nuk dihet a kanë autorizim nga eprorët e tyre. I treti, është person i kontaktuar dhe është marrë nga zyrtarët e Guardias për të përdorur pajijset. Janë marrë në pyetje, të tre janë lejuar të largohen drejt Italisë. Pajisjet janë të bllokuara dhe pritet ti nënshtrohen ekspertimit. Prokuroria ka caktuar një prokuror. Policia e ka referuar, nuk ka reagim zyrtar, në mënyrë të fshehtë e ka dërguar në prokurori për dy vepra, përgjimi i paligjshëm dhe futja e mallrave kontrabandë. Ne kemi patur historik në lidhje me pajisje përgjuese të dyshimta, nëse ju kujtohet ka qenë pajisja IMSI Catcher, që u dyshua e u përdor edhe në burgje. U arrestua një izraelit. Ka patur edhe dy raste të tjera që janë bllokuar në hyrje ose dalje. Rasti konkret është shqetësues pasi dy persona janë të Guardia di Finanza, ata lëvizin për anëtarë të krimit të organizuar ose politikanë që mund të kenë lidhje me krimin e organizuar. Se kush është përgjuar, cili është itenerari, dhe çfarë ka ndodhur me rezultatet e përgjimit, këtë përgjigje duhet ta japë prokuroria. Autoritetet po heshtin, skandali bëhet edhe më i madh. Pse këta persona janë lejuar të largohen? Mund të mbaheshin të pakten më bllokim pasaporte derisa të bëhej ekspertimi i pajisjeve", tha Lala. 

Ngjarja ka ndodhur dy dië më parë, ku në portin e Durrësit u zbulua automjet me pajisje përgjuese. Makina vinte nga Ancona drejt Durrësit dhe 3 personat që udhetonin janë prezantuar si punonjës të Guardia Di Finanza, të cilët më pas janë lejuar të largohen. Mësohet se ata kanë qëndruar të paktën 12 ore në territorin e vendit tonë, ndërsa gjatë kësaj kohe ka dyshime të forta që kanë përdorur për të kryer përgjime të subjekteve të caktuara./ZËRI

Poll

MOS HUMB