VLORË- Biznesmeni Vasil Bedinaj është kërcënuar me armë zjarri mesditën e sotme rreth orës 12:30 në një nga hotelet e tij në Radhimë, ndërsa Polciia e Vlorës ka dhënë detaje për ngjarjen.
Sipas njoftimit zyrtar, rreth orës 11:30 pronari i resortit ka njoftuar Policinë se persona të armatosur po konfliktoheshin me të, ndërsa shërbimet policore kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe kanë ngritur pika kontrolli. Në afërsi të Pusit të Mezinit, efektivët kanë konstatuar një automjet që lëvizte me shpejtësi dhe janë vënë në ndjekje të tij i cili ka humbur kontrollin dhe është aksidentuar.
Blutë e Vlorës bëjnë me dije se në automjet janë gjetur 3 persona, 2 prej të cilëve kanë mbetur të dëmtuar si pasojë e aksidentit, ndërsa personi i tretë nuk ka probleme shëndetësore. Ndërsa gjatë kontrollit është gjetur edhe një armë zjarri, pistoletë.
Njoftimi i Policisë:
Vlorë/Informacion paraprak
Rreth orës 11:30, pronari i një resorti në Vlorë ka njoftuar Policinë se persona të armatosur po konfliktoheshin me të.
Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në drejtim të adresës së dhënë, si dhe kanë ngritur pika kontrolli.
Shërbimet e Policisë, në afërsi të Pusit të Mezinit, kanë konstatuar një automjet që lëvizte me shpejtësi dhe janë vënë në ndjekje të tij.
Drejtuesi i këtij automjeti ka humbur kontrollin dhe është aksidentuar. Në automjet janë konstatuar 3 shtetas, 2 prej të cilëve janë dëmtuar si pasojë e aksidentit, ndërsa tjetri nuk ka probleme shëndetësore.
Gjatë kontrollit në automjet, shërbimet e Policisë kanë gjetur 1 armë zjarri, pistoletë.
Është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e dinamikës së ngjarjes dhe identifikimin e të gjithë shtetasve të përfshirë.
Shërbimet e Policisë së DVP Vlorë, në bashkëpunim me shërbimet e disa DVP-ve të tjera, po kryejnë kontrolle dhe veprime të tjera, me qëllim identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.
Meqenëse veprimet janë dinamike, në përfundim të veprimeve të para hetimore do të ketë një njoftim të plotë për ngjarjen.