
KAMËZ- Një ngjarje e rëndë është parandaluar në Kamëz, ku një 54-vjeçar ka kanosur bashkëshorten dhe fëmijët se do t'i digjte me benzinë. Pasi "plani i parë" i dështoi, 54-vjeçari Bashkim Domi, tentoi që t'i vinte flakën edhe banesës ku jetonin së bashku. Por fatmirësisht Policia e Shtetit u njoftua në kohë dhe 54-vjeçari u vendos në pranga. Nga zjarri i ndezur prej tij në banesë ka pasur vetëm dëme materiale dhe s'ka pasur të lënduar në njerëz.
NJOFTIMI I POLICISË:
Kamëz
Kanosi bashkëshorten e tij dhe fëmijët e tyre, se do t’i digjte me benzinë, dhe më pas i vuri zjarrin banesës, arrestohet në flagrancë 54-vjeçari. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, pas marrjes së njoftimit se në rrugën “Tuk Jakova”, një shtetas kishte kanosur për jetën familjarët e tij, menjëherë kanë organizuar punën për vënien e autorit përpara përgjegjësisë penale.
Si rezultat i veprimeve profesionale të punonjësve të Policisë, është kapur dhe vënë në pranga shtetasi B. D., 54 vjeç. Ditën e djeshme, në rrugën “Tuk Jakova”, ky shtetas dyshohet se ka kanosur bashkëshorten e tij dhe fëmijët e tyre se do t’i digjte me benzinë dhe më pas i ka vënë zjarrin banesës. Nga zjarri janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme./ZËRI