
FIER- Ditën e sotme Policia ka ushtruar një kontroll në banesën e Arben Isufajt i njohur edhe si 'Ben Qimja'. Isufaj është shpallur në kërkim për armëmbajtje pa leje dhe po hetohet për një përpjekje për të korruptuar një gjyqtar. Në 12 shkurt 2025, gjyqtari Vladimir Cjapi është kanosur nga 55 vjeçari, dhe pak ditë më vonë në datën 17 shkurt është bërë kallëzimi nga ana e tij. Por Arben Isufaj nuk është një emër i panjohur për autoritetet.
Emri i tij është bërë i njohur që në fillim të viteve ’90 në qytetin e Fierit ku pas një përplasjeje i vrasin babanë, Enver Isufaj. Enver Isufaj u vra në një bilardo në afërsi të banesës në zonën e Sheqit. Në vrasje, dyshohet se kishin marrë pjesë Pëllumb Yzeiraj dhe Vladimir Hasani, vëllai i Selami Hasanit, i njohur si 'Sel Çami'.
Arben Isufaj u shpërngul në Spanjë e më pas në Holandë dhe Itali duke krijuar lidhje të fuqishme në trafikun e kokainës.
Ai është akuzuar se kishte një linjë të furnizimit të Europes me kokainë përmes Holandës. Sipas autoriteteve italiane të drejtësisë, Isufaj dyshohet të jetë përfshirë në disa episode të trafikut të kokainës nga Holanda në Itali gjatë periudhës 2004-2005. Të dhënat nga hetimet e vendit fqinj zbardhen në vendimin e Gjykatës së Tiranës që vendosi ekstradimin në Itali të tij.
Isufaj u fut në sektorin e ndërtimit në mesin e viteve 2000 duke u kthyer në njërin prej ndërtuesve më të mëdhenj në Fier. Ai u arrestua në vitin 2014 pas një operacioni të bujshëm në zonën e Liqenit në Tiranë për t’u liruar disa kohë më vonë./ZËRI