
ELBASAN-Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan rrëzon kërkesën e ish kryebashkiakut të Kukësit, Safet Gjici për zëvendësimin e pjesës së mbetur të dënimit me qëndrim në shtëpi për shkak të kushteve shëndetësore. Gjici pretendonte lirimin e parakohshëm për shkak të problemeve shëndetësore, komplikacione me diabetin dhe zemrën, teksa u trajtua edhe në spital.
Vetë Gjici nuk ishte i pranishëm, kurse vendimi u shpall sot nga gjyqtarja e çështjes, Suela Lika, pasi dëgjoi palët prezentë dhe vlerësoi aktet e paraqitura, përfshi edhe dëgjimin e ekspertëve.
Safet Gjici u dënua më datë 7 shkurt të këtij viti nga shkalla e parë me 3 vite burg, në aplikim të gjykimit të shkurtuar në 2 vite, nën akuzën e “shpërdorimit të detyrës”. Safet Gjici u vu në pranga fillimisht i akuzuar për "korrupsion pasiv", pasi dyshohet se ka favorizuar Alma Kaçin, duke i ofruar mbështetje financiare, me vendim të Këshillit Bashkiak, mbi një projekt për strehimin dhe kujdesin ndaj qenve endacakë në qytet./ZËRI