TIRANË- Ministria e Financave ka reaguar lidhur me çështjen e zhbllokimit të pagave të magjistratëve dhe personelit të sistemit të drejtësisë, duke kundërshtuar pretendimin se pagat e muajit gusht janë bllokuar.
Përmes një letre drejtuar Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Ministri i Financave, Malaj, sqaron se pagesat nuk janë ndaluar, por problematika lidhet me mënyrën e përllogaritjes së tyre.
Sipas Ministrisë, listëpagesat dhe urdhërshpenzimet për muajin gusht janë paraqitur nga KLGJ dhe KLP mbi bazën e një metodologjie të ndryshme nga ajo që është në fuqi aktualisht. Për këtë arsye, kërkohet që dokumentacioni financiar të paraqitet sërish duke përdorur metodologjinë që është zbatuar deri në muajin korrik.
Ministria argumenton se ndryshimet e reja në trajtimin financiar të magjistratëve nuk mund të zbatohen ende, pasi ndryshimet ligjore përkatëse nuk janë miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë.
Në qëndrimin e saj, Ministria e Financave i referohet edhe vendimit nr. 15, datë 17 shkurt 2026, të Gjykatës Kushtetuese, duke theksuar se vendimi është përfundimtar dhe me fuqi detyruese. Megjithatë zbatimi kërkon ndërhyrjen ligjore që i është lënë në kompetencë Kuvendit.
Pas deklaratave se pagat e magjistratëve dhe personelit të sistemit të drejtësisë nuk janë bllokuar KLGJ i ka derguar diten e sotme ne 3 shtator një letër Ministrisë së Financave, të firmosur nga kryetari i KLGJ-së, Ilir Rusi ku kërkohet që pagesat të ekzekutohen pa vonesa. Letra i është përcjellë për dijeni edhe Ministrisë së Drejtësisë.
KLGJ e lidh situatën me zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për trajtimin financiar të magjistratëve. Sipas Këshillit, pas shfuqizimit të disa dispozitave ligjore, Kuvendit i ishte lënë afat deri më 31 korrik 2026 për të miratuar ndryshimet e nevojshme, por ndërhyrja ligjore nuk u realizua brenda këtij afati.
Në mungesë të ndryshimeve të reja, KLGJ miratoi më 26 gusht vendimin nr. 435, me synimin për të unifikuar mënyrën e zbatimit të detyrimit kushtetues. Si bazë referimi u mor trajtimi financiar i kategorisë së lartë drejtuese në administratën publike, Kategoria I, Klasa 1-2.
KLGJ kundërshton gjithashtu pretendimet për verifikime administrative që kanë ndikuar në moskalimin e pagave. Në letrën e saj përmenden edhe rastet e gjykatave në Durrës, Fier dhe Gjirokastër, ku, sipas Këshillit, urdhërshpenzimet e miratuara nga degët përkatëse të thesarit janë bllokuar më pas në bankat ku kryhen pagesat.
Këshilli i Lartë Gjyqësor këmbëngul se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë detyruese për të gjitha institucionet dhe nuk mund të pezullohen apo të vihen në diskutim nga pushtetet e tjera. Sipas KLGJ-së, moszbatimi i tyre do të binte ndesh me nenin 132 të Kushtetutës dhe parimin e shtetit të së drejtës.
Përplasja mes dy institucioneve mbetet kështu e përqendruar te mënyra e zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe te metodologjia që duhet të përdoret për llogaritjen e pagave të magjistratëve, ndërsa pagesat e muajit gusht vijojnë të jenë në qendër të debatit institucional.
Letra e Plotë:
Në përgjigje tuajës nr. 14110, datë 02.9.2026, protokolluar me tonën nr. 4395/1, datë 03.9.2026, me anë të së cilës pasi keni bërë një analizë të situatës aktuale ligjore dhe të praktikës së ekzekutimit të shpenzimeve buxhetore, ndër të tjera na sugjeroni, që Këshilli i Lartë Gjyqësor, të marrë masat në fushën e përgjegjësisë sonë për paraqitjen pa vonesë pranë strukturave përkatëse të Thesarit, të listëpagesave dhe urdhërshpenzimeve për muajin gusht 2026, sipas parametrave të
përdorur në listëpagësën e muajit korrik 2026 dhe duke theksuar se edhe vetë Gjykata Kushtetuese ka paraqitur listëpagesë e cila është përpunuar rregullisht, Këshilli i Lartë Gjyqësor ju bën me dije si më poshtë vijon; së pari; në lidhje me citimin tuaj se, në disa raste, dokumentacioni i paraqitur ka përfshirë në të njëjtën listëpagesë dhe urdhërshpenzim si pagat e magjistratëve, ashtu edhe ato të nëpunësve të administratës gjyqësore dhe të administratës së prokurorisë, si dhe të personelit tjetër mbështetës.
Për rrjedhojë, nevoja për verifikimin e pjesës së dokumentacionit që reflektonte ndryshimin e pagës referuese ka ndikuar edhe në përpunimin e pagave të këtij personeli, ju bëjmë me dije se në çdo rast listëpagesat mujore dhe urdhërshpenzimet përkatëse (të cilat ndahen vetëm sipas bankave, në të cilën magjistrati apo punonjësi ka numrin e vet të llogarisë), përgatiten sipas strukturave organizative të miratuara të njësisë shpenzuese (KLGJ dhe gjykatat e të tre niveleve), bazuar në listëprezencën mujore, të hartuara nga struktura përgjegjëse për burimet njerëzore.
Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe gjykatat e të tre niveleve, kanë hartuar dhe dorëzuar pranë Degëve të Thesarit përkatëse, listëpagesat e muajit gusht 2026 në përputhje me legjislacionin në fuqi, në zbatim të fuqisë detyruese të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, duke garantuar paprekshmërinë e pagës së gjyqtarit si dhe brenda buxhetit të miratuar dhe planit të thesarit për vitin 2026, në shpenzime personeli. së dyti; në lidhje me citimin tuaj se, strukturat e Thesarit kanë vijuar me verifikimet përkatëse, me qëllim garantimin e ligjshmërisë së shpenzimit, trajtimin e njëtrajtshëm të institucioneve dhe shmangien e praktikave të ndryshme për të njëjtën kategori përfituesish.
Ky proces verifikimi nuk ka pasur dhe nuk ka për objekt bllokimin e pagave apo pengimin e zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, por verifikimin e bazës juridike dhe garantimin e një praktike të njëtrajtshme në ekzekutimin e shpenzimeve buxhetore, ju bëjmë me dije se, sikurse dihet degët e thesarit në procesin e ekzekutimit të shpenzimeve për paga, gjithmonë kryejnë ndër të tjera verikimin e planit të thesarit dhe limitit mujor të miratuar, në shpenzime personeli, për çdo njësi shpenzuese.
Kjo procedurë është ndjekur edhe për ekzekutimin e pagave të muajit gusht 2026 në disa gjykata (Durrës, Fier, Gjirokastër) ku listëpagesat mujore dhe urdhërshpenzimet përkatëse, janë verifikuar dhe miratuar nga strukturat përgjegjëse në degët e thesarit, vërtetuar kjo me dokumentacionin e vulosur nga degët e thesarit, por janë bllokuar në bankat përkatëse. së treti, në lidhje me citimin tuaj se, Ministria e Financave nuk vë në diskutim karakterin përfundimtar dhe detyrues të vendimit nr. 15/2026 të Gjykatës Kushtetuese, por në të njëjtën kohë, vëren se në arsyetimin dhe dispozitivin e këtij vendimi Gjykata Kushtetuese i ka ngarkuar Kuvendit detyrimin për miratimin e ndryshimeve ligjore të nevojshme për përshtatjen e pagës së
magjistratëve me standardet kushtetuese. etj.,,,ju bëjmë me dije se në të njëjtën linjë duhet të konsideroni që Këshilli i Lartë Gjyqësor respektoi dhe zbatoi fuqinë detyruese të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të përcaktuar në nenin 132 paragrafi i parë, të Kushtetutës ku parashikohet se: "Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë përfundimtare dhe të detyrueshme për zbatim ", nenin 76, paragrafi i parë të ligjit nr. 8577/2000, që përcakton se: "Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është përfundimtar dhe i detyrueshëm për zbatim".
Vendimi nr. 15, datë 17.02.2026, i Gjykatës Kushtetuese, krijoi një situatë ligjore dhe buxhetore që ka të bëjë me formulën e pagës së gjyqtarëve, duke filluar nga data 1 gusht 2026. Meqenëse kjo situatë prek drejtpërdrejt fuqinë detyruese të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, garancinë e paprekshmërisë së pagës së gjyqtarit sipas nenit 138 të Kushtetutës dhe marrëdhëniet ndërmjet pushteteve, Këshilli i Lartë Gjyqësor miratoi Vendimin nr. 435, datë 26.08.2026 duke konkretizuar
dhe unifikuar zbatimin e detyrimit kushtetues dhe sipas arsyetimit të Vendimit nr. 35/2022 të
Gjykatës Kushtetuese.
Fuqia detyruese e vendimit të Gjykatës Kushtetuese do të thotë se as Kuvendi, as Këshilli i Ministrave, Ministria e Financave apo çdo organ tjetër shtetëror nuk mund të rihapë, rivlerësojë ose relativizojë atë që Gjykata Kushtetuese ka vendosur përfundimisht. Kuvendi mund të ushtrojë vetëm hapësirën normuese që vetë vendimi i ka njohur, ndërsa organet e ekzekutivit mund të përcaktojnë mekanizmat e nevojshëm për ekzekutimin e tij. Vënia në diskutim ose pezullimi administrativ i efekteve të një vendimi të tillë do të cenonte drejtpërdrejt nenin 132 të Kushtetutës, autoritetin e Gjykatës Kushtetuese dhe parimin e shtetit të së drejtës.
Për rrjedhojë, mosveprimi i Kuvendit nuk mund të shndërrohet në të drejtën e një organi të ekzekutivit për të pezulluar efektet e një vendimi të Gjykatës Kushtetuese. Një përfundim i kundërt do ta bënte fuqinë detyruese të vendimit kushtetues të varur nga vullneti i organit që duhet ta zbatojë. Këshilli i Lartë Gjyqësor nuk ka përcaktuar pagat e magjistratëve (gjyqtarë) por ka zbatuar referencën juridike të trajtimit financiar të tyre që është Kushtetuta, neni 138, ligji për statusin e
magiistratëve dhe standardet detyruese të përcaktuara nga Gjykata Kushtetuese në vendimet nr.
35/2022 dhe nr. 15/2026.
Këshilli i Lartë Gjyqësor me Vendimin nr. 435/2026, nuk ka krijuar një politikë të re page dhe nuk ka zëvendësuar Kuvendin në ushtrimin e kompetencës ligjvënëse, por u miratua në kushtet si vijon: në - Fjalia e parë, e shkronjës "a", të nenit 1, si dhe të pikës 2, të nenit 2, të ligjit nr. 33/2023, datë 25.5.2023, "Për një ndryshim në ligjin 96/2016, 'Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve Republikën e Shqipërisë', të ndryshuar", sipas së cilës përllogariteshin pagat e gjyqtarëve dhe funksionarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor, është shfuqizuar si e papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
- Kuvendi nuk veproi me miratimin e ndryshimeve ligjore të nevojshme për rregullimin e pagave të magjistratëve sipas arsyetimit të këij vendimi, brenda afatit të përcaktuar datë 31.7.2026. - Sipas referencës së analizuar në vendimin nr. 35/2022, të kësaj Gjykate (paragrafi 110 i vendimit nr.15/2026) nëse nuk bëhen ndryshimet ligjore deri në datën 31.7.2026, llogaritja e pagesave të prapambetura do të bëhet me formulën që i referohet funksionarit të administratës së lartë publike. Pas datës 31 korrik 2026, Këshilli i Lartë Gjyqësor nuk kishte diskrecion as për të vendosur nëse do ta zbatonte vendimin kushtetues, as për të përcaktuar sipas vullnetit të saj një nivel të ri page.
Ai ka konkretizuar dhe unifikuar zbatimin e detyrimit kushtetues, duke marrë si referencë kategorinë e lartë drejtuese, Kategoria I, Klasa 1-2, sipas VKM-së nr. 325/2023, të ndryshuar. Për rrjedhojë, vendimi nr. 435/2026 ka natyrë zbatuese dhe konkretizuese; ai nuk është akt vetëpërcaktimi i pagës. Edhe nëse KLGJ-ja nuk do të kishte miratuar vendimin nr. 435/2026, nga data 1 gusht 2026 nuk mund të vijonte ligjërisht zbatimi i formulës së shfuqizuar. Detyrimi për t'i dhënë efekt vendimit
nr. 15/2026 buronte drejtpërdrejt nga Kushtetuta dhe nga vetë vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Aktet e organeve të sistemit gjyqësor nuk e kanë krijuar këtë detyrim; ato vetëm e kanë konkretizuar dhe bërë të njëtrajtshëm zbatimin e tij.
Për sa më sipër, Këshilli i Lartë Gjyqësor, i kërkon Ministrisë së Financave; -së pari, ekzekutimin e menjëhershëm të pagesave të pagave për muajin gusht 2026, për të gjithë nëpunësit dhe punonjësit e administratës së Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të nëpunësve të administratës gjyqësore, dhe të personelit tjetër mbështes të gjykatave të të tre niveleve, paga e të cilëve nuk preket nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese nr 15/2026, dhe Vendimi nr. 435, datë 26.8.2026 “Për miratimin e pagës referuese bazë për Magjistratin (Gjyqtar)".
-së dyti, pas përfundimit të verifikimeve përkatëse nga strukturat e thesarit, ekzekutimin e menjëhershëm të pagesave të pagave të magjistratëve (gjyqtarë) në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe në gjykatat e të tre niveleve, për muajin gusht 2026 dhe në vijim, bazuar në Vendimin nr. 35, datë 22.11.2022, të Gjykatës Kushtetuese, Vendimin nr. 15, datë 17.02.2026, të Gjykatës Kushtetuese dhe Vendimin nr. 435, datë 26.8.2026 “Për miratimin e pagës referuese bazë për Magjistratin (Gjyqtar) sipas Vendimit nr. 15, datë 17.02.2026, të Gjykatës Kushtetuese" të Këshillit të Lartë Gjyqësor.



/ZËRI