KUÇOVË- Pas publikimit në rrjetet sociale të një videoje ku efektivet e policisw shfaqen duke tërhequr nje person në fshatin Krekëz ka reaguar edhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit.
Të tre punonjësit e komisariatit të policisë së Kuçovës janë pezulluar nga detyra nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Skënder Hitaj. Bëhet fjalë për inspektorët Dashnor Dino dhe Kastriot Meçanin oficer të Patrullës së Përgjithshme si dhe inspektorin Afrim Muka (SPZ).
Ndaj tyre është urdhëruar një hetim disiplinor për shkeljet e “Përdorimit të paligjshëm dhe I paarsyeshëm I forcës” dhe “Kryerja e veprimeve që cenojnë rëndë figurën e punonjësit të Poilicisë, institucionit apo shërbimin policer në tërësi”.
Sipas policisë me 20 korrik shtetasja me iniciale V.T. ka bërë një kallëzim së është kanosur nga Dashnir Toska. Ku për rrjedhojë më 3 gusht efektivët kanë shkuar në fshtain Krekëz të Kuçovës për të shoqëruar në polici personin në fjalë pasi nuk ka pranuar të paraqitet vullnetarisht.
Njoftimi i Policisë:
Reagim i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Në lidhje me një video të publikuar në rrjete sociale, ku shfaqet shoqërimi i një shtetasi nga punonjësit e Policisë së Komisariatit të Policisë Kuçovë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Skender Hita ka pezulluar menjëherë nga detyra 3 punonjësit e Komisariatit të Policisë Kuçovë që shfaqen në video, konkretisht: inspektorët K. M. dhe D. D., oficerë të Patrullës së Përgjithshme, si dhe inspektor A. M., ndihmësspecialist (SPZ).
Gjithashtu, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, në zbatim të kërkesave të ligjit “Për Policinë e Shtetit” dhe të Rregullores së Policisë së Shtetit, ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale, në DPPSH, për nisjen e hetimit disiplinor ndaj 3 punonjësve të pezulluar nga detyra, për shkeljet “Përdorimi i paligjshëm dhe i paarsyeshëm i forcës” dhe “Kryerja e veprimeve që cenojnë rëndë figurën e punonjësit të Policisë, institucionin apo shërbimin policor në tërësi”. Ndërkohë, sqarojmë opinionin publik se shoqërimi i shtetasit D. T., që shfaqet në video, nuk është bërë për kryerjen e punimeve të ndërtimit pa leje, por për shkak se ndaj tij është bërë kallëzim për kanosjen e kunatës së tij.
Më datë 20.07.2026, në Komisariatin e Policisë Kuçovë është paraqitur kunata e shtetasit D. T., shtetasja V. T., e cila ka kallëzuar se ky shtetas e kishte kanosur. Në kuadër të veprimeve procedurale të kryera nga Komisariati i Policisë Kuçovë dhe pas konsultimit me Prokurorinë e Beratit, më datë 03.08.2026, shërbimet e Policisë kanë shkuar në fshatin Krekëz, për të shoqëruar shtetasin D. T., i cili nuk kishte pranuar të paraqitej vullnetarisht në Komisariat, pas njoftimit nga ana e Policisë, për t’u pyetur në cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime.
Në vijim të veprimeve për rastin, materialet procedurale janë referuar në Prokurori, për veprën penale “Kanosja”, parashikuar nga neni 84 i Kodit Penal. Duke qenë se palët janë në situatë konfliktuale dhe në proces gjyqësor për një pronë (tokë), Komisariati i Policisë Kuçovë e ka trajtuar në mënyrë të vazhdueshme problematikën ndërmjet tyre, me qëllim parandalimin e përshkallëzimit të situatës, duke reaguar ndaj çdo njoftimi dhe duke kryer veprimet procedurale në përputhje me ligjin.
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit garanton qytetarët se çdo pretendim për shkelje të ligjit apo të standardeve profesionale nga ana e punonjësve të Policisë do të verifikohet me seriozitet dhe paanshmëri. Çdo punonjës Policie që konstatohet se ka shkelur ligjin, rregullat e shërbimit apo ka cenuar besimin e qytetarëve me veprimet e tij, do të mbajë përgjegjësi sipas parashikimeve të ligjit dhe të Rregullores së Policisë së Shtetit./ZËRI