TIRANË- Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato, ka përgëzuar Klodian Braho për zgjedhjen si Drejtues i ri Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për 3 vitet e ardhshme, teksa shtoi se mirëpret bashkëpunimin me të. Gonzato ka qenë i pranishëm në mbledhjen e KLP-së që zgjati 6 orë, deri në zgjedhjen e kreut të ri të SPAK. Gonzato u shpreh se SPAK luan një rol thelbësor në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si një nga kërkesat kyçe për anëtarësimin në BE.
“SPAK luan një rol thelbësor në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ju e dini që ky është një nga kërkesat kyçe për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Dje thamë që ajo që kërkoj është një kryetar të ri për SPAK-un që do vijojë punën e tij. Ajo që kërkonim ishte një kandidat me nivele të larta pavarësie, integriteti, rezistence në punë dhe angazhim ndaj standardeve të BE-së. Tashmë më lejoni të përgëzoj zotin Braho në detyrën e tij të re dhe që me kërshëri mirëpresim bashkëpunimin me të në muajt dhe në vitet në vijim”, tha Gonzato.
Klodian Braho është zgjedhur kreu i ri i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me 7 vota pro, ndërsa 3 veta shkuan për Adnan Xholin dhe një për Elvin Gokajn./ZËRI
