TIRANË- Klodian Braho është zgjedhur kreu i ri i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Pas përfundimit të mbledhjes ku u zhvillua intervistimi i kandidatëve, KLP votoi me 7 vota pro Brahon si drejtues të SPAK, Xholi mori 3 vota dhe Gokaj 1.
Klodian Braho do të ketë një mandat 3-vjeçar si drejtues i SPAK, duke pasuar në këtë detyrë Altin Dumanin, të cilit i mbaron mandati më 18 dhjetor. Braho do ta marrë zyrtarisht detyrën në një ceremoni të dorëzimit të kompetencave më 19 dhjetor 2025.
Ja si votuan 11 anëtarët e KLP:
Sokol Stojani- Xholi
Moisi Duda- Braho
Olger Eminaj- Braho
Erind Mërkuri- Xholi
Mirela Bogdani- Braho
Vatë Staka-Xholi
Ledina Riza- Braho
Erind Gërmenji- Braho
Zeqir Hoda- Braho
Arta Mandro- Braho
Erion Fejzulla- Gokaj
Visualizza questo post su Instagram
Kush është Klodian Braho?
Klodian Braho, i emëruar prokuror në vitin 2007, është po ashtu prokuror pranë SPAK që në krijimin e tij. Aktualisht mban detyrën e shefit të seksionit kundër korrupsionit në Prokurorinë e Posaçme. Ai ka patur një rrugëtim të gjatë në sistemin e drejtësisë, duke mbajtur pozicione të rëndësishme në hetimin e rasteve të korrupsionit. Braho është prokurori, i cili ka hetuar inceneratorin e Elbasanit, duke nxjerrë urdhër arresti për shumë persona mes të cilëve, Mirel Mërtiri, Stela Gugallja, Klodian Zoto dhe duke ndarë hetimin për ish zv/kryeministrin Arben Ahmetaj.
Braho ka hetuar gjithashtu dosjen 5D duke dërguar në gjyq ish-drejtorët e Bashkisë së Tiranës. Një tjetër dosje e hetuar dhe e dërguar në gjyq nga prokurori është edhe ajo e njohur si “Toyota Yaris” ku janë të përfshirë edhe shumë njerëz të drejtësisë. Kjo dosje është e ndarë në disa fraksione dhe janë duke u hetuar edhe pjesë të tjera të saj. Gjithashtu Klodian Braho është pjesë edhe e grupit të prokurorëve që firmosën dosjen për ish-ministrin e mbrojtjes Fatmir Mediu, tashmë në proces gjyqësor, nën akuzën për “shpërdorim detyre” në lidhje me rolin e tij si ministër në masakrën e Gërdecit./ZËRI