TIRANË-Për tre vite me radhë, institucionet në Shqipëri kanë punuar për një Kod të Ri Penal që pritet të marrë aprovimin e Bashkimit Evropian dhe të kalojë në Kuvend për miratim me shumicë. Ky Kod Penal që synon të jetë i qëndrueshëm për 20 apo 30 vitet e ardhshme, do të prekë shtresat thelbësore të shoqërisë përfshin një sërë ndryshimesh. Gjithsej janë bërë 30 ndërhyrje. Kodi i Ri parashikohet të jetë me 327 nene, në krahasim me atë aktualin i cili ka 285 nene e 550 paragrafe.
Gjithashtu, Kodi i ri organizon veprat penale në mënyrë më logjike dhe me më pak përsëritje, për shembull, krimet seksuale, korrupsioni, dhuna familjare, janë të grupuara qartë. Një nga ndryshimet kryesore ka të bëjë me lirimin e të dënuarve përjetë. Një i dënuar i përjetshëm lejohet të përfitojë nga ligji pasi ka shlyer jo më pak se 35 vjet burg, nëse ka shfaqur pendesë dhe vlera etike e shoqërore.
Mashtrimi do të ndëshkohet me 5 vjet burg, krahasuar me maksimale 3 vjet në ligjin aktual. Për trafik droge, kodi i ri parashikon dënime nga 5 deri 15 vjet burg, ndërsa kodi aktual kishte maksimum 10 vjet në raste të rënda. Mosha e përgjegjësisë për marrëdhënie seksuale me të mitur. Mosha e lejueshme rritet nga 14 në 16 vjeç, dhe dënimi parashikon nga 5 deri 10 vjet burg. Mosha mbi 14 nëse ka konsensus, nuk përbën vepër penale, ndërsa nën 14 vjeç ndëshkohet edhe nëse ka consensus.
Burg për bigaminë, dënime deri në 4 vjet për martesë të dyfishtë. Lidhja e më shumë se një martese në të njëjtën kohë do të konsiderohet vepër penale. Bashkëjetesa e një personi të rritur me një të mitur 14-16 vjeç për qëllime martesore dënohet me 4-8 vjet burg. Bashkëjetesa me të mitur 16-18 vjeç dënohet me 2-5 vjet burg. Prindi, kujdestari ose personi që ushtron autoritet prindëror dhe nxit bashkëjetesën me të miturin 14-18 vjeç dënohet me 5-10 vjet burg. Nëse bashkëjetesa kryhet me person nën 14 vjeç, dënimi është 8-16 vjet burg.
Në rast të përfitimit pasuror nga kjo vepër penale, dënimet në secilin rast shtohen deri në gjysmën e dënimit fillestar.
Evazioni fiskal dhe kontrabanda trajtohen me rreptësi: dënim deri në 10 vjet burg për kontrabandë dhe humbje të privilegjeve të gjobave në favor të burgimit të mundshëm, zakonisht zgjidhet administrativisht, por në raste evazioni me vlera të larta ka dhe dënim me burg.
Paraburgimi dhe llogaritja e tij kanë pësuar gjithashtu ndryshime. Një ditë paraburgimi vlerësohet si një ditë burg (kundrejt 1.5 ditë në ligjin aktual), duke rezultuar në dalje më të hershme nga burgu për të paraburgosurit.
Mbrojtje më e madhe për pronën dhe reagim ndaj agresionit në banesë. Zgjerohet parimi i mbrojtjes së pronës, vetëmbrojtja në shtëpi nuk kërkon më proporcionalitet të rreptë, parashikohet si e “ligjshme në çdo rast”. Konfiskimi i pasurive nga vepra penale parashikon konfiskimin e mjeteve dhe të ardhurave nga krimi, por shpesh kërkon vendim përfundimtar.
Prishja e qetësisë publike. Me Kodin e ri Penal pritet të ulet dënimi për personat që prishin qetësinë publike. Kjo vepër penale do të dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre muaj. Ndërsa sipas Kodit Penal në fuqi, kjo vepër dënohet me gjobë ose deri në dy vite burg. Por do të ashpërsohen masat për organizatorët e aktiviteteve që tejkalojnë kushtet e përcaktuara në leje. Sipas Kodit të ri Penal, kur kjo vepër kryhet nga persona të pajisur me leje për organizimin e aktiviteteve të zhurmshme, por në shkelje të kushteve të vendosura nga autoritetet, dënimi penal rritet me një të dytën e masës së parashikuar.
Përdorimi i paligjshëm të imazhit. Lidhur me keqpërdorimin e imazhit të një personi tjetër për të hapur një profil të rremë në rrjetet sociale apo në çdo faqe tjetër, do të dënohet me gjobë dhe me 3 vite burg. Për këto raste, ndjekja penale fillon vetëm kur bën denoncim viktima ose avokati, dhe pushohet kur heq dorë pala e dëmtuar. Krimet kibernetike mund të dënohen me burgim nga gjashtë deri në tre vjet burg. Por, po ashtu, është menduar edhe për ngacmimin kibernetik. Në këto raste dënimi mund të jetë nga një deri në katër vjet.
Surrogacia me qëllim fitimin dënohet me gjobë ose deri në 3 vjet burg. Dënimi me burgim të përjetshëm jepet me vendim të gjykatës për kryerjen e një krimi të rëndë që ka shkaktuar pasoja veçanërisht të rënda. Dënimi me burgim të përjetshëm nuk jepet ndaj personave që në kohën e kryerjes së krimit nuk kanë mbushur moshën tetëmbëdhjetë vjeç̧, apo kur janë rastet e parashikuara në këtë Kod, edhe për personat që nuk kanë mbushur moshën 21 vjeç si dhe ndaj grave.
Ndalimi i së drejtës për t’u zgjedhur në organet legjislative kombëtare apo vendore, për një kohë jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet deri në njëzet e pesë vjet, jepet ndaj personit që ka kryer një krim që lidhet me krimet zgjedhore, ushtrimin e detyrës duke shpërdoruar funksionin publik ose, kur ka kryer një krim për të cilin gjykata ka caktuar një dënim me burgim jo më pak se pesë vjet./ZËRI