TIRANË-Unioni i Gazetarëve Shqiptarë ka dalë me një reagim publik, lidhur me ndryshimet në praktikën e komunikimit të prezantuar sot nga kreu i Policisë së Shtetit Skënder Hita. Ky i fundit nga një konferencë për mediat u shpreh se qytetarët kanë nevojë të informohen në mënyrë të saktë, ndaj do të zbatohet një praktikë e re, e njëjtë me praktikën europiane. Hita u shpreh se drejtuesit e drejtorive vendore të Policisë, do të zhvillojnë konferenca mujore për të bërë transparente punën, rezultatet dhe sfidat në çdo qark.
Lidhur me këto ndryshime Unioni i Gazetarëve është shprehur kundër, duke arsyetuar se ky vendim është jashtë kompetencës dhe misionit të vetë kreut të Policisë së Shtetit, pasi ky mision i takon gazetarëve dhe medias. Në reagim thuhet se praktika e re e komunikimit një herë në muaj, sjell pasoja dhe efekte të shumëfishta në punën e gazetarëve sa i përket informimit të publikut. Unioni nënvizon se ky vendim është një censurim mbi fluksin e ndodhive, ngjarjeve dhe raportimeve për çdo rast. Kjo praktikë për Unionin e Gazetarëve Shqiptarë sjell disa pasoja kufizuese, veçanërisht për mediat dhe gazetarët.
Deklaratë e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë:
Urdhri kufizues i informimit publik për komunikimet ditore të Policisë së Shtetit, bie ndesh me lirinë për informim
Tiranë më 07.05.2026
Urdhëri ndalues i publikimit të komunikatave ditore të drejtorive të qarqeve të Policisë së Shtetit, i komunikuar për mediat nga Drejtori i Përgjithshëm Drejtues Madhor Skënder Hita, është një vendim çensurues për informimin dhe dijeninë publike.
Sipas deklarimit, para gazetarëve prej zotit Hita, ky vendim, zhbën një praktikë ditore shumëvjeçare për 12 drejtoritë e qarqeve dhe të Drejtorisë së Përgjithshme.
Pohimi i zotit Drejtor se ky vendim "nuk është një tërheqje nga transparenca", në të vërtetë nuk e shmang mundësinë praktike dhe realitetin e kufizimit drastik të informimit. Marrja përsipër prej autoritetit të Policisë së Shtetit, e përgjegjësisë së mediave, për shëndetin mendor të publikut, është pretendim i pamundur dhe jashtë tagrit.
Pohimi i Drejtorit Hita se: "…Ne besojmë se qytetarët nuk kanë nevojë vetëm për më shumë informacion, por për informacion të saktë, të verifikuar dhe të përgjegjshëm, për informacion të matur që të mos ndikojë te perceptimi negativ dhe te kriminalizimi i shoqërisë", është jashtë kompetencës dhe misionit të vet. Ky është mision dhe duhet të jetë funksion vetëm i mediave dhe gazetarëve.
Përqëndrimi i informacionit dhe reduktimi i komunikimit publik të Policisë së Shtetit, në praktikën e re të komunikimit një herë në muaj, sjell pasoja dhe efekte të shumëfishta, sidomos në praktikat informuese të gazetarëve të profilit, sikundër janë reporterët e kronikës.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë vëren se ky urdhër centralizon informacionin zyrtar në nivel vendi dhe redukton mundësinë informuese zyrtare si në kohë ashtu edhe në hapësirë, instalon burokracinë informuese dhe sjell cungim dhe çensurim mbi fluksin e ndodhive, ngjarjeve dhe raportimeve për çdo rast.
Pretendimi zyrtar se praktika e re është e njëjtë me ato në vende të ndryshme fqinje ose jo, është i pasaktë dhe nuk përputhet me praktikat reale të institucioneve homologe me Policinë e Shtetit. Pohimi se “ çelet një kapitull i ri në mënyrën e komunikimit, që duhet të ketë në raport me mediat dhe publikun”, është fakt që sjell disa pasoja kufizuese, veçanërisht për mediat dhe gazetarët. Në këtë pretendim zyrtar fshihet tendenca për të edituar informacionin e selektuar nga ana e Policisë së Shtetit dhe vetë titullarit të saj.
UGSH shprehet kundër këtij vendimi dhe sugjeron që pa humbur kohë do të ishte me vend që në një tryezë konsultimi me krejt komunitetin e reporterëve të Kronikës dhe organizatat e gazetarëve, të mund të negocioheshin masa rregulluese, pa cënuar lirinë për informim dhe duke mishëruar masa përmirësuese. Kërkojmë nga Drejtori i Përgjithshëm i Policise se Shtetit, Drejtuesi Madhor Skënder Hita, bllokimin e këtij vendimi dhe negocimin e menjëhershëm për praktikë të re funksionale.
