LAÇ-Një plagosje me thikë është regjistruar mbrëmjen e djeshme (19 gusht) në Laç. Raportohet se si pasojë e një konflikti për motive të dobëta, Eraldo Dibra alias Eraldo Basha ka plagosur me thikë në krah një 50-vjeçar, i cili ndodhet në Spitalin e Traumës ku po merr ndihmën e nevojshme mjekësore. Autori 33-vjeçar është vendosur në pranga, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Njoftimi i policisë:
Shërbimet e Komisariatit të Kurbinit ndërhynë mbrëmjen e djeshme, pas njoftimit për një plagosje me mjet prerës. Si rezultat, u identifikua dhe u vu në pranga shtetasi E. D., alias E. B., 33 vjeç, banues në Laç.
Ky shtetas dyshohet se, rreth orës 20:00 të mbrëmjes së djeshme, pas një konflikti për motive të dobëta, plagosi me thikë në krah shtetasin A. H., 50 vjeç, banues në fshatin Gjormë. Viktima u dërgua menjëherë në Spitalin e Traumës, ku po merr ndihmën e nevojshme mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Lezhës për veprime të mëtejshme./ZËRI