Aktualitet

Kontrolle në Tiranë dhe Fushë-Krujë, arrestohen dy persona, sekuestrohen kokainë, armë e ftohtë dhe një automjet luksoz

Aksioni u organizua nga Forca e Posaçme Operacionale, Forca e Posaçme “Shqiponja” dhe Policia Rrugore, në kuadër të masave për goditjen e veprimtarive të paligjshme dhe rritjen e sigurisë publike.

M.K.
Kontrolle në Tiranë dhe Fushë-Krujë, arrestohen dy persona,
FOTO ILUSTRUESE

TIRANË- Kontrolle të befasishme të zhvilluara nga strukturat e Policisë së Shtetit në Tiranë dhe Fushë-Krujë kanë çuar në arrestimin e dy personave, sekuestrimin e lëndës narkotike të dyshuar kokainë, një arme të ftohtë, si edhe të një automjeti luksoz.

Aksioni u organizua nga Forca e Posaçme Operacionale, Forca e Posaçme “Shqiponja” dhe Policia Rrugore, në kuadër të masave për goditjen e veprimtarive të paligjshme dhe rritjen e sigurisë publike. Kontrollet u shtrinë në akset kryesore rrugore të Tiranës, si edhe në zonat e Fushë-Krujës, Bubqit dhe Niklës.

Gjatë operacionit u kontrolluan 87 automjete dhe 118 qytetarë. Efektivët konstatuan 34 raste të automjeteve me xhama të errësuar në kundërshtim me Kodin Rrugor, të cilët u hoqën në vend, ndërsa drejtuesit u ndëshkuan me masa administrative.

Po ashtu, 12 automjete dhe 16 persona u shoqëruan në ambientet e policisë për verifikime të mëtejshme.

Në përfundim të kontrolleve, dy persona u vunë në pranga. Njëri prej tyre u kap në posedim të një sasie të lëndës narkotike të dyshuar kokainë, ndërsa tjetrit iu gjet dhe sekuestrua një shufër metalike, e cilësuar si armë e ftohtë.

Ndërkohë, një shtetas tjetër u shoqërua pasi dyshohet se kishte shkelur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”. Policia sekuestroi edhe automjetin luksoz që ai përdorte.

Sipas Policisë së Shtetit, kontrolle të tilla do të vijojnë në të gjithë territorin, me fokus parandalimin e kriminalitetit, evidentimin e shkeljeve të ligjit dhe rritjen e sigurisë për qytetarët.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë

Vijojnë kontrollet intensive në terren për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive, si dhe për rritjen e parametrave të sigurisë.

Kontrolle edhe në rrethin e Krujës.

Arrestohen në flagrancë 2 shtetas, sekuestrohen lëndë narkotike e dyshuar kokainë, armë të ftohta dhe një automjet luksoz.

Forca e Posaçme Operacionale dhe Forca e Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Rrugore, kanë intensifikuar kontrollet në terren, me fokus evidentimin e armëmbajtjes pa leje, posedimit të lëndëve narkotike, kapjen e personave në kërkim, si dhe kontrollin e mjeteve luksoze, mjeteve të blinduara, automjeteve me xhama të errësuar tej normave të lejuara, përfshirë edhe xhamin e përparmë, si dhe të mjeteve me modifikime që shkaktojnë zhurma shqetësuese në qytet.

Në kuadër të planit të masave për rritjen e parametrave të sigurisë dhe për parandalimin e goditjen e paligjshmërive, shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale dhe Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Rrugore, kanë zhvilluar kontrolle të befasishme në akset kryesore rrugore dhe në zona të ndryshme të Tiranës, si dhe në Fushë-Krujë, Bubq dhe Nikël.

Si rezultat i kontrolleve:

• janë kontrolluar dhe verifikuar 87 automjete;

• janë verifikuar 118 shtetas;

• janë konstatuar dhe hequr 34 xhama të errësuar, në kundërshtim me dispozitat e Kodit Rrugor, si dhe janë vendosur masa administrative ndaj drejtuesve të mjeteve që qarkullonin me xhama të errësuar në kundërshtim me ligjin;

• janë shoqëruar 12 automjete dhe 16 shtetas për verifikime të mëtejshme;

• është arrestuar në flagrancë një shtetas, pasi gjatë kontrollit iu gjet një sasi lënde narkotike e dyshuar kokainë;

• është arrestuar në flagrancë një shtetas, pasi gjatë kontrollit iu gjet dhe iu sekuestrua një armë e ftohtë (shufër metalike);

• është shoqëruar një shtetas, pasi kishte thyer masën e sigurisë "Arrest në shtëpi", ndërsa u sekuestrua automjeti luksoz që përdorte.

Kontrollet do të vijojnë në mënyrë të pandërprerë, me tolerancë zero ndaj çdo shkeljeje të ligjit, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe rritjen e sigurisë për qytetarët./ZËRI

Poll

MOS HUMB