
TIRANË-Detaje të reja janë zbuluar lidhur me aksionin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në banesën e motrave, Alda dhe Xhovana Nikolli. Kjo e fundit me anë të një postimi në Tik Tok, shkruan se SPAK ka futur intriga mes saj dhe së motrës, Alda Nikolli. Xhovana pretendon se i kanë bërë pritë në aeroport dhe i kanë thënë se e motra e ka shitur në Spanjë, ku do ta vrisnin.
"SPAK fut intriga mes motrave turp t’iu vije qa shteti kemi .. më bënë pritë në Aeroport dhe më thanë që mos ik në Spanjë se motra t’ka shit, do t’vrasin fjalët e SPAK-ut! Mbroni kriminelat dhe doni të shkatrroni familjen tonë .. Jam e gatshme për cdo gjë deri në fund,"-shkruan Xhovana Nikolli.
View this post on Instagram
Alda dhe Xhovana Nikolli dyshohet të kenë stisur sulmin me tritol të ndodhur më 13 korrik 2024, që i mori jetën fqinjit të tyre, Enea Thomarai. Hetuesit e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) zbarkuan më 28 mars në banesën ku motrat Nikolli kanë jetuar me qira në Elbasan dhe ushtruan kontroll të prani të pronarit të apartamentit. Ajo që dihet për këtë ngjarje është se kamerat kanë pikasur një person që afrohet me biçikletë, lë lëndën plasëse dhe më pas largohet. Ai është një person me precedentë penalë, është identifikuar nga autoritetet, por ende nuk është prangosur dhe mungesa e dëshmisë së tij e ka lënë këtë çështje pa një autor.
Gjatë kohës së kësaj ngjarjeje, njëra nga motrat, Alda Nikolli ka akuzuar të penduarin e drejtësisë Nuredin Dumani si autor. Këtë gjë, ajo e tha në një intervistë për Top Channel dhe në daljet e drejtpërdrejta që ka bërë në “Tik Tok”. Alda Nikolli rrëfente se me Nuredin Dumanin kishte pasur një raport intim që nuk kishte përfunduar mirë dhe ai e kishte kërcënuar, arsye për të cilën ajo kishte krijuar bindjen se më pas ai i ka vendosur sasinë e tritolit në derën e banesës.
Ndërsa motra tjetër, Xhovana Nikolli është e dashura e Amarildo Xhanejt (Nikolli) që u vu në pranga në Vlorë, pasi dyshohet se kishte shkuar të vriste Inez Hajrullën. Pas arrestimit, Amarildo Xhanej u bë bashkëpunëtor i drejtësisë dhe u dënua nga Gjykata e Posaçme me 2 vite e 9 muaj burg për armëmbajtje pa leje në kuadër të grupit kriminal./ZËRI