TIRANË- Besimtarët ortodoksë në mbarë botën festojnë sot Pashkët, një nga festat më të rëndësishme të kalendarit të krishterë, që simbolizon ringjalljen e Krishtit dhe fitoren e jetës mbi vdekjen. Edhe në vendin tonë, qindra mijëra besimtarë kremtuan me përkushtim këtë ditë të shenjtë, duke marrë pjesë në meshën e mesnatës së djeshme në kisha dhe katedrale të ndryshme.
Në Tiranë, ceremonia kryesore u zhvillua në Katedralen ‘Ngjallja e Krishtit’, ku dhjetëra besimtarë u mblodhën për të ndjekur meshën solemne të Pashkës. Liturgjia u drejtua nga Kryepeshkopi Joan, i cili përcolli mesazhe paqeje, shprese dhe solidariteti për të gjithë besimtarët dhe shoqërinë në tërësi.
Atmosfera në katedrale ishte e mbushur me solemnitet dhe emocione, ndërsa besimtarët ndezën qirinj dhe uruan njëri-tjetrin me fjalën tradicionale: “Krishti u ngjall!”. Festimet e Pashkëve pritet të vijojnë edhe gjatë ditës së sotme me vizita familjare dhe aktivitete të ndryshme tradicionale./ZËRI