Aktualitet

Kthen moti! Rrëshqitje dherash në Kukës, lumi i Shalës del nga shtrati, grupi kriminal ndez zjarret në Vlorë

Pas reshjeve të dendura, uji ka përmbytur zonën dhe ka shkulur të gjitha shkallët

F.I
Kthen moti! Rrëshqitje dherash në Kukës, lumi i Shalës del
FOTO ILUSTRUESE

TIRANË-Pas temperaturave të larta, vendi ynë është përfshirë nga moti i keq gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm, me erëra të forta, shtrëngata dhe reshje intensive shiu. Situata më probematike është paraqitur në veri, ku në Kukës reshjet u paraprinë nga shkarkesa të forta elektrike.

Për shkak të reshjeve të dendura, janë raportuar rrëshqitje dherash dhe gurësh në disa akse rrugore, si në rrugët rurale ashtu edhe në ato nacionale që lidhin Kukësin me zonat përreth. Megjithatë, deri në këto momente nuk është raportuar për bllokime të rrugëve apo dëme serioze. Këto reshje intensive kanë ndihmuar në shuarjen e disa vatrave aktive të zjarrit, sidomos në zonën e Fushë Arrëzit. 

Situatë problematike u paraqit edhe në Malësinë e Madhe, ku banorët e Shalës u zgjuan në ujë. Në një video të publikuar për joq, duket se pas reshjeve të dendura, uji ka përmbytur zonën dhe ka shkulur të gjitha shkallët, duke i marrë me vete.


Ndërkohë në jug të vendit, vatrat e zjarrit në zonat e Dukatit, Drashovicës në qarkun e Vlorës janë vendosur nën kontroll. Zjarret raportohet se ishin të qëllimshme dhe kjo ngriti alarm tek autoritetet dhe banorët lokalë. Lidhur me situatën ka reaguar edhe Ministria e Mbrojtjes, e cila raportoi se zjarret janë shkaktuar nga një grup i strukturuar kriminal, që ka vepruar me qëllim dhe në mënyrë të koordinuar.

Reagimi:

Sonte, mes orës 20:15 dhe 22:15, është shfaqur një numër i konsiderueshëm vatrash zjarri në fshatrat Dukat, Drashovicë dhe Vajzë. Pas reagimit të shpejtë të emergjencave civile të Vlorës, zjarri në fshatin Dukat i Ri është izoluar plotësisht, duke evituar përkeqësimin e situatës dhe rrezikun ndaj zonave të banuara. Ndërkohë, 3 vatrat e shfaqura njëherazi në lartësitë e staneve të Drashovicës dhe 2 vatrat e shfaqura në orën e fundit në Vajzë mbeten aktive.

Forcat zjarrfikëse vendore dhe Forcat e Armatosura janë në terren në këto dy fshatra, duke krijuar perimetra sigurie. Tipologjia dhe kronologjia e këtyre vatrave krijojnë bindjen e arsyeshme se kemi të bëjmë jo vetëm me zjarrvënie të qëllimshme, por me një grup të strukturuar kriminal në veprim në këtë zonë, anëtarët e të cilit kanë zgjedhur të veprojnë në orët e natës, kur është e pamundur ndërhyrja nga ajri. Forcat operacionale do të mbeten të angazhuara në terren përgjatë gjithë natës, për të siguruar banesat dhe pronat e qytetarëve.

Poll

MOS HUMB