Aktualitet

Kur plumbat nuk 'kursejnë' as drejtësinë

Në 26 vitet e fundit, figura të tjera të drejtësisë kanë qenë pre e atentateve apo dhe vrasjeve me tritol.

F.I
Kur plumbat nuk 'kursejnë' as drejtësinë
viktima dhe shënjestra të atentateve

TIRANË-Ngjarja e rëndë e 6 tetorit ku gjyqtari Astrit Kalaja u vra me armë zjarri brenda sallës së gjyqit tronditi opinion shqiptar. Një vendim i dhënë në fund të seancës i kushtoi jetën, por të ekspozuar para konflikteve mes palëve, Kalaja nuk është viktima e parë. Përmasat e ngjarjes morën peshë më të madhe pasi plumbat u lëshuan brenda sallës së Gjykatës së Apelit në Tiranë, por në 26 vitet e fundit, figura të tjera të drejtësisë kanë qenë pre e atentateve apo dhe vrasjeve me tritol. ZËRI ju risjell ngjarjet e rënda që tronditën drejtësinë, me autorë që në shumë raste nuk u identifikuan kurrë.

-Në hapat e ngjarjes së Astrit Kalasë, më 9 shtator 2011 u vra me eksploziv gjyqtari i Gjykatës së Vlorës Skerdilajd Konomi, një atentat, pa asnjë të ndaluar edhe sot pas shumë vitesh. Pista kryesore ishte ajo e çështjeve të ndjeshme të pronësisë që kishte gjykuar, njëjtë si gjyqtari Astrit Kalaja.

Por ngjarjet nuk janë vetëm gjyqtarët, të cilët e kanë pësuar nga çështjet që ndiqnin. Shënjestër do të ishin edhe fëmijët apo shoqëruesit e tyre.

-Rasti i parë që tronditi opinionin publik ishte më 19 shkurt 1999 kur Kozeta Hyseni, vajza 21-vjeçare e një prokurori në Vlorë, Luftar Hyseni, u gjet e masakruar me gur në Qytetin Studenti në Tiranë. Dyshimet e hetuesve u përqendruan në hakmarrje ndaj të atit, ndërsa autorët nuk u identifikuan kurrë. 

-Dy ditë më vonë, më 21 shkurt 1999, kryetari i Dhomës së Avokatisë Kleanthi Koçi mbeti i plagosur rëndë në një atentat në Tiranë dhe ndërroi jetë pak ditë më vonë në një avion drejt Italisë.

-Më 30 shtator 2003 u vra Genci Sina, shoferi i Prokurorit të Përgjithshëm të kohës Theodhori Sollaku. Ai u qëllua në mes të ditës në Tiranë, në prani të familjes së tij. Hetimi ndaj tij u përqëndurua si mesazh për drejtuesin e Prokurorisë së Përgjithshme.

-Më 22 mars 2019, avokati dhe mik i familjes Çapja, Ravik Gurra u ekzekutua me armë zjarri në një lokal në qendër të Elbasanit, në kulmin e tensioneve mes grupeve kriminale, duke treguar se edhe avokatët nuk ishin më të paprekshëm përballë sulmeve. Gurra gjithashtu ka qenë avokat edhe i grupit të Emiljano Shullazit.

-Në nëntor të po 2019 një atentat në Shkozet ndaj makinës së prokurorit Arjan Ndoja shkaktoi vdekjen e shoferit të tij Andi Maloku, ndërsa vetë prokurori dhe një tjetër pasagjer mbetën të plagosur. Procesi i hetimit po vijon edhe sot në GJKKO.

-Në 4 qershor të vitit 2021, klienti i avokatit dhe ish-prokurorit Adriatik Cama, u ekzekutua pranë Gjykatës së Shkallës së Parë së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë. Plumbave nuk u shpëtoi as ish-prokurori. Viktima u vra nga vjehrri i tij dhe Adriatik Cama u plagos si pasojë. Ish-prokurori njihet për hetimin e dosjeve të bujshme si vrasja e bankierit Artan Santo dhe dosjes së 21 janarit. 

-Edhe pse rasti i fundit, nuk lidhet me profesionin, 'drejtësia' duket se e 'tradhtoi' gjyqtaren Fildeze Hafizi. Kjo e fundit u ekzekutua poshtë banesës nga ish-bashkëshorti i saj. Ajo u qëllua, për vdekje me dy plumba, mesditën e 31 gushtit 2017 në zonën e Xhamllikut në Tiranë. Një krim ky, jo vetëm i paralajmëruar, por edhe përsëritës. Pasi Fadil Kasemi, kishte vetëm 8 muaj që kishte dalë nga burgu, ku ishte dënuar me 4 vite e 6 muaj heqje lirie, pasi në vitin 2015 kishte tentuar të kryente vrasjen e parë të ish-bashkëshortes. Por që ndërkohë u dënua vetëm për armëmbajtje pa leje dhe dhunë në familje. Shqetësim të cilin gjyqtarja tashmë e ndjerë, Fildeze Hafizi, ia shprehu në një letër edhe ambasadorit amerikan të akredituar atë kohë në Shqipëri. Në verën e vitit 2015, prokuroria e Tiranës, shpërfilli një kallëzim të sajin, ku denonconte ish-bashkëshortin për kërcënim me armë në plazhin e Golemit.

Edhe pse të ngritur profesionalisht, rastet kur 'shënjestra' bëhen figurat e drejtësisë kanë krijuar një zinxhir krimesh në dy dekada.

Poll

MOS HUMB