TIRANË- Sot, në orën 09:30, ka filluar intervistimi për kandidatët që garojnë për postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, dukë përmbyllur kështu fazën finale të këtij procesi. Intervistimi i kandidatëve të mbetur pritet të vendosë për drejtuesin e ardhshëm të Policisë së Shtetit.
Procesi po monitorohet nga e ngarkuara me punë e Shteteve të Bashkuara, Nancy VanHorn, e cila ka mbërritur mesditën e sotme në Ministrinë e Brendshme.
Procesi po zhvillohet sipas rendit alfabetik, ndërsa i pari që është paraqitur për intervistë ka qenë Afrim Tafa, aktualisht drejtor i Policisë së Durrës.
Komisioni i ngritur nga Ministria e Brendshme, i përbërë nga zv/ministrja Silva Caka, sekretarja e përgjithshme e ministrisë Kledia Ngjela dhe kreu i Autoritetit të Mbikëqyrjes së Policisë (AMP), Eduart Merkaj, ka vlerësuar paraprakisht dosjet e kandidatëve.
Në garë janë 14 kandidatë, pasi nga 16 aplikime fillestare, dy kandidate (gra) që nuk ishin pjesë e Policisë së Shtetit u skualifikuan gjatë fazës së verifikimit paraprak.
Lista e kanidatëve:
1. Afrim Tafa
2. Alfred Çepe
3. Arjanit Arapi
4. Ejona Gurbardhi
5. Elidon Çela
6. Gentian Berberi
7. Gentjan Shehaj
8. Idajet Faskaj
9. Lorenc Panganika
10. Neritan Nallbati
11. Pëllumb Seferi
12. Rebani Jaupi
13. Saimir Boshnjaku
14. Skënder Hita
15. Suela Sulkaj
16. Tonin Vocaj
Pas fazës së verifikimit paraprak, tashmë kandidatët do të kalojnë në atë të intervistimit. Më pas, komisioni do të ketë në dispozicion 48 orë për të shpallur rezultatet dhe pikët përkatëse për secilin kandidat. Pas kësaj, Komisioni i Posaçëm i dorëzon në bazë të ligjit Ministrit të Brendshëm listën me 5 kandidatët më të vlerësuar. Më pas Ministri i Brendshëm do t’i përcjellë Këshillit të Ministrave kandidaturat dhe vendimi merret nga qeveria.
Kujtojmë që me largimin e Prodës, deri në zgjedhjen e drejtorit të ri, në detyrë është komanduar zëvendësdrejtori Sokol Bizhga./ZËRI