TIRANË- Disa ditë pasi përfundoi me urgjencë në QSUT, i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani aktualisht ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore. Drejtoria e Burgjeve ka konfirmuar për mediat se, Nuredin Dumani më datë 6 shtator është dërguar drejt urgjencës në gjendje të pavetëdijshme. Lidhur me aludimin për helmim, si pasojë e ushqimit të konsumuar në qeli, Drejtoria e Burgjeve bën me dije se ushqimi, që përfshinte fruta deti është sjellë nga familjarët e Dumanit. Mësohet se gjatë shtrimit në spital, Dumani është konsultuar me disa lloje mjekësh, përfshi neurolog, toksikolog dhe kardiolog, të cilët sugjeruan kurimin e tij për 3 ditë. I penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani, përfundoi mbrëmjen e 6 shtatorit në urgjencën e QSUT pasi shfaqi probleme shëndetësore. Fillimisht u aludua se Dumani ishte helmuar nga ushqimi që kishte konsumuar në qeli. Pas kryerjes së të gjitha ekzaminimeve, mësohet se komplikacionet në gjendjen shëndetësore të Dumanit erdhën pas një krize epileptike. Pas trajtimit mjekësor, Dumani është rikthyer në qeli.
/ZËRI