TIRANË- Gjykata Kushtetuese vendosi këtë të enjte kalimin për shqyrtim në seancë plenare të kërkesës së opozitës, për çështjen e zgjedhjes së avokatit të Popullit Endri Shabani. Ankimi në Kushtetuese ishte bërë nga ana e deputetëve të PD më 12 janar të këtij vitit, me pretendimin se zgjedhja e tij është bërë në shkelje të kushtetutës dhe rregullores së Kuvendit. PD kërkon shfuqizimin e votimit në Kuvend, po ashtu dhe pezullim të ushtrimit të detyrës nga Endri Shabani deri sa Gjykata Kushtetuese të shprehet. Ata kërkojnë verifikimin e zgjedhjes së Endri Shabanit.
“Kolegji i Gjykatës Kushtetuese vendosi kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare mbi bazë të dokumenteve: Verifikimin e çështjes që lidhet me zgjedhshmërinë dhe papajtueshmëritë në ushtrimin e funksioneve të Avokatit të Popullit, përfshirë verifikimin e procedurës së zgjedhjes së shtetasit Endri Shabani në këtë detyrë, si dhe konstatimin si të papajtueshëm me Kushtetutën e Shqipërisë. 2. Shfuqizimin e vendimit nr.111, datë 11.12.2025 “Për zgjedhjen e Avokatit të Popullit”, të Kuvendit të Shqipërisë, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Shqipërisë. 3. Pezullimin e vendimit nr.111, datë 11.12.2025 “Për zgjedhjen e Avokatit të Popullit”, të Kuvendit të Shqipërisë, deri në dhënien e një vendimi përfundimtar nga Gjykata Kushtetuese”, thuhet vendimin e publikuar në faqen zyrtare të Gjykatës.
Me kalimin për shqyrtim në seancë, tashmë, Partia Demokratike dhe Kuvendi do të paraqesin argumentet e tyre para trupës së përbërë nga 8 gjyqtarë.
Përplasja shpërtheu pasi PD tërhoqi firmat për të gjithë kandidatët, përfshirë Endri Shabanin, duke deklaruar se ai nuk gëzon më mbështetjen e tyre. Megjithatë, pavarësisht këtij qëndrimi, shumica socialiste e kaloi çështjen në seancë plenare dhe e votoi Endri Shabanin si Avokat të Popullit.
Endri Shabani u zgjodh në seancën e 11 dhjetorit, me 85 vota pro, 3 kundër dhe asnjë abstenim me votim të fshehtë, ndërsa opozita zgjodhi të braktisë procesin e votimit. Në momentin e votimit të tij ishte i pranishëm në sallën e Kuvendit edhe kryeministri Rama, i cili mungoi gjatë gjithë pjesës tjetër të seancës. Shabani do të ushtrojë mandatin e tij 5-vjeçar, duke zëvendësuar në këtë post, Erinda Ballancën, e cila e drejtoi institucionin tre vite përtej përfundimit zyrtar të mandatit.
Ndërkohë, më 18 dhjetor, Shabani është betuar si Avokat i Popullit mes tensioneve në Kuvend. Mes fërshkëllimave dhe thirrjeve “dil përjashta”, kryeparlamentari Niko Peleshi ka lexuar fjalët e betimit të Endrit Shabanit, ndërsa ky i fundit i ka përshëndetur edhe me një puthje deputetët e opozitës. /ZËRI

