TIRANË- Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kaluar për gjykim dosjen “Bajri” për vrasjen e Fatbardh Licit. Për këtë çështje janë marrë të pandehur Safet Bajri, Asmer Bilali, Behar Bajri dhe Eria Ago, të cilët akuzohen për veprën penale të vrasjes. Mësohet se avokatët e tyre kishin kërkuar pushimin e çështjes ose kthim të akteve për plotësim hetimesh.
Sipas mbrojtjes ligjore, për këtë çështje më herët ka patur pezullim hetimesh nga prokurori të tjera për mungesë provash.
Vrasja e Fatbardh Licit ndodhi më 10 Gusht 2018 teksa ai ishte duke pirë kafe në një lokal në lagjen Kiras në Shkodër. Në lidhje me ngjarjen SPAK ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar dosjen penale në GJKKO.
Sipas hetimeve të kryera nga SPAK, ka qenë Safet Bajri dhe Astmer Bilali, të cilët janë afruar tek vendi ku ndodhej lokali me qira i Sokol Licit, ku çdo ditë pothuajse në të njëjtën orë shkonte dhe pinte kafen, vëllai i tij, viktima Fatbardh Lici. Bilali ka dalë nga makina tip "Mercedez Benz" duke qëlluar me breshëri kallashnikovi në drejtim tij, duke e lënë të vdekur. Fatbardh Lici është xhaxhai i Muhamet, Ibrahim dhe të ndjerit Hamza Lici, i cili u vra më 30 tetor të 2024 në hyrje të lagjes Dobraç, zonë e njohur si territor i Bajrave. Pas atentatit mjeti është larguar në drejtim të zonës së Dobraçit, ku edhe është djegur. Pasi kanë kryer vrasjen, Safet Bajri ka qëndruar në Shkodër, ndërsa Astmer Bilali është larguar menjëherë drejt Tiranës, së bashku me të pandehurën Eria Ago.
Motivi i vrasjes së tij dyshohet se lidhet me faktin që Behar Bajri ka bërë fajtor Ibrahim Licin për vrasjen e ish-efektivit të Policisë së Shtetit, Boran Bërçana. Ky i fundit u ekzekutua bashkë me bashkëjetuesen e tij, Silva Ndocin, në mjetin e tyre. Kështu për të marrë hak, Bajrajt dhe Bilalit.
“1. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me datë 25.11.2025 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Dërgimin në gjyq të çështjes penale që i përket procedimit penal nr. 112, të vitit 2019, në ngarkim të të pandehurve: Behar Brajoviq, Safet Rustemi, Astmer Bilali dhe Eria Ago”.
2. Në seancën e datës 19.03.2026 (seanca paraprake), Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Elsa Ulliri, pasi shqyrtoi pretendimet e palëve, me vendimin nr. 42/180, datë 19.03.2026, bvendosi:
1. Pranimin e kërkesës.
2. Dërgimin në gjyq të çështjes penale që i përket procedimit penal nr. 112, të vitit 2019, në ngarkim të të pandehurve:
i. Behar M. Brajoviq i akuzuar për kryerjen e veprave penale:
a. “Vrasja me paramendim”, kryer për hakmarrje në dëm të viktimës F.L, kryer në bashkëpunim, në formën e veçantë, atë të grupit të
strukturuar kriminal, parashikuar nga neni 78 paragrafi i dytë dhe 28, pika 4 e K.Penal;
b. “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në bashkëpunim, në formën e veçantë, atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga neni 278 paragrafi i parë dhe 28, pika 4 e K.Penal;
c. “Grupi i strukturuar kriminal”, në formën e drejtimit dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar
kriminal”, parashikuar nga neni 333/a, paragrafi i parë dhe 334 pika e parë dhe e dytë e K.Penal.
ii. Safet J. Rustemi i akuzuar për kryerjen e veprave penale:
a. “Vrasja me paramendim”, kryer për hakmarrje në dëm të viktimës F.L, kryer në bashkëpunim, në formën e veçantë, atë të grupit të
strukturuar kriminal, parashikuar nga neni 78 paragrafi i dytë dhe 28, pika 4 e K.Penal;
b. “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në bashkëpunim, në formën e veçantë, atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga neni 278 paragrafi i parë parashikimit të bërë sipas ligjit nr.82/2016 dhe 28, pika 4 e K.Penal;
c. “Grupi i strukturuar kriminal”, në formën e pjesëmarrësit dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i
strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a, paragrafi i dytë dhe 334 pika e parë dhe e dytë e K.Penal.
iii. Astmer A. Bilali i akuzuar për kryerjen e veprave penale:
a. “Vrasja me paramendim”, kryer për hakmarrje në dëm të viktimës
F.L, kryer në bashkëpunim, në formën e veçantë, atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga neni 78 paragrafi i dytë dhe 28, pika 4 e K.Penal;
b. “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në bashkëpunim, në formën e veçantë, atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga neni 278 paragrafi i parë dhe 28, pika 4 e K.Penal;
c. “Grupi i strukturuar kriminal”, në formën e pjesëmarrësit dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a, paragrafi i dytë dhe 334 pika e parë dhe e dytë e K.Penal.
iv. Eria G. Ago e akuzuar për kryerjen e veprës penale “Përkrahja e autorit të krimit”, parashikuar nga neni 302 paragrafi i dytë i K.Penal.
3. Dërgimin e çështjes për gjykim pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me tjetër trup gjykues, të përbërë nga tre
gjyqtarë.
4. Fashikulli i gjykimit në bazë të nenit 332/ë pika 4 e K.Pr.Penale do të përmbajë të gjitha aktet që janë kryer gjatë hetimeve paraprake dhe që ndodhen në dosjen
penale të procedimit penal Nr.112/2019 të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar si dhe aktet e kryera gjatë seancës paraprake.
5. Pjesë e fashikullit të gjykimit bëhet edhe kërkesa për gjykim të shkurtuar e paraqitur nga e pandehura Eria Ago.
6. Kundër këtij vendimi nuk lejohet ankim”, njofton GJKKO./ZËRI