TIRANË- Partia Demokratike ka ankimuar këtë të hënë në Gjykatën Kushtetuese vendimin për zgjedhjen e Avokatit të Popullit. Sipas pretendimeve të PD-së, zgjedhja e Endri Shabanit është në shkelje të kushtetutës dhe rregullores së Kuvendit. PD kërkon shfuqizimin e votimin në Kuvend, po ashtu dhe pezullim të ushtrimit të detyrës nga Endri Shabani deri sa Gjykata Kushtetuese të shprehet.
Endri Shabani u zgjodh në seancën e 11 dhjetorit, me 85 vota pro, 3 kundër dhe asnjë abstenim me votim të fshehtë, ndërsa opozita zgjodhi të braktisë procesin e votimit. Në momentin e votimit të tij ishte i pranishëm në sallën e Kuvendit edhe kryeministri Rama, i cili mungoi gjatë gjithë pjesës tjetër të seancës. Shabani do të ushtrojë mandatin e tij 5-vjeçar, duke zëvendësuar në këtë post, Erinda Ballancën, e cila e drejtoi institucionin tre vite përtej përfundimit zyrtar të mandatit.
Ndërkohë, më 18 dhjetor, Shabani është betuar si Avokat i Popullit mes tensioneve në Kuvend. Mes fërshkëllimave dhe thirrjeve “dil përjashta”, kryeparlamentari Niko Peleshi ka lexuar fjalët e betimit të Endrit Shabanit, ndërsa ky i fundit i ka përshëndetur edhe me një puthje deputetët e opozitës. /ZËRI

