TIRANË-'Shpella e Spilesë në Himarë është kthyer në lavazh', ky ishte lajmi që qarkulloi nëpër media e rrjete sociale kohët e fundit. Në lidhje me zërat e fundit një reagim erdhi edhe nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI), e cila ka hedhur poshtë pretendimet se shpella po kthehet në një lavazh, duke i cilësuar si të pavërteta dhe të pabazuara.
Sipas MEKI-t, Shpella e Spillesë është një Monument Kulture i Kategorisë së Parë dhe si e tillë gëzon mbrojtje të veçantë ligjore dhe çdo ndërhyrje në këtë sit historik kryhet në përputhje me standardet më të larta. Më tej thuhet se pamjet që po qarkullojnë në media dhe rrjete sociale si pretendim se Shpella e Spillesë po kthehet në një “lavazh” apo pronë private nuk qëndrojnë, duke publikuar krahas pamjeve në rrjete edhe imazhe nga ndërhyrjet që po zhvillohen në shpellë.
"Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit informon se, falë marrëveshjes së bashkëpunimit për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore mes MEKI, Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe Bashkisë Himarë, janë miratuar disa projekte ndërhyrjesh për rijetëzim, mes tyre edhe për Shpellën e Spilesë në Himarë. Theksojmë se Shpella e Spilesë është një Monument Kulture i Kategorisë së Parë dhe çdo ndërhyrje kryhet vetëm mbi bazën e miratimit nga institucionet përgjegjëse të trashëgimisë kulturore, duke respektuar standardet më të larta të mbrojtjes dhe ruajtjes së saj. Ndërhyrjet funksionale të parashikuara përfshijnë vendosjen e rrethimit mbrojtës, instalimin e paneleve informuese, dhe ndriçimin dekorativ. Asnjë lavazh, parkim apo zaptim abuziv, asgjë që cenon statusin e saj të mbrojtjes, nuk do të tolerohet! Pamjet që po qarkullojnë në media dhe rrjete sociale si pretendim se Shpella e Spilesë po kthehet në një “lavazh” apo pronë private nuk qëndrojnë. Përkundrazi, ajo do të rikualifikohet sipas projektit të miratuar nga Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale. Për ndërhyrjet në afërsi të shpellës, me mbështetjen e pushtetit vendor dhe organeve ligjzbatuese do të ketë rikualifikime urbane e rikuperime që do të përmirësojnë kontekstin territorial duke evokuar vlerat turistike të zonës. Ndërhyrjet parashikohet të nisin në periudhën shtator-tetor,'-thuhet në reagimin e MEKI.
Teksa Ministria pretendon se projekti përfshin vendosjen e rrethimit mbrojtës, instalimin e paneleve informuese, dhe ndriçimin dekorativ, duke e paraqitur edhe me imazhe, studiuesi Auron Tare thotë se janë plagjiaturë dhe i përkasin projektit të shpellës Huashan në provincën Tunxi të Kinës.
Tare i bëri thirrje Ministrisë të jetë më serioze dhe të mos tallë me taksapaguesit. Duke komentuar reagimin e Ministrisë, ai shprehu habinë për mënyrën si u trajtua situata dhe e kritikoi atë për mungesën e specialistëve të mirëfilltë të interpretimit të mitologjisë antike. Tare rekomandoi që të krijohet një ekip specialistësh të arkeologjisë dhe historisë për të zhvilluar një ide të qartë për Shpellën e Spilës, duke e lidhur atë me kontekstin historik dhe mitologjik të Epirit antik. Ai sugjeroi që në këtë proces të përfshiheshin studime të njohura nga ekspertë të UNESCO-s