
TIRANË- 2 javë pasi u mor i pandehur nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, kryebashkiaku i Devollit, Eduard Duro është paraqitur sërish në ambientet e SPAK. Kësaj here socialisti ishte i shoqëruar nga avokati i tij. Pasi ka dalë nga SPAK, Duro nuk qëndroi për të komunikuar për mediat, por 'premtoi' se do të fliste një herë tjetër.
"Do të flas një herë të dytë,"- u tha gazetarëve kryebashkiaku pasi doli nga SPAK.
Duro u mor i pandehur nën akuzën “shpërdorim detyre” pasi licensoi një biznes karburanti që ishte ndërtim pa leje. Shkelja u kallëzua në SPAK nga një subjekt tjetër. Në lidhje me këtë çështje, Duro në një reagim zyrtar u shpreh se sektori i tatimtaksave kishte dhënë autorizimin, ndaj edhe ai kishte hedhur firmën në letër.
“Në lidhje me lajmin e dalë, Eduard Duro shprehet : Sektori i tatim taksave ka dhënë autorizim për shitje karburanti brenda dhe konform ligjit. Shtetasit J.K dhe M.K kanë bërë denoncim se ky dokument nuk duhej dhënë subjektit "Genci Petrol". Kam firmosur çdo gjë siç e kërkon ligji dhe nuk bëhet fjala për shpërdorim detyre por për detyrë të plotësuar në kushtet e një kryetari bashkie.”
Duro ka qenë sot në SPAK për të dhënë shpjegime në lidhje me pozicionin e tij. Por përveç tij, nën hetim janë edhe pesë punonjës të bashkisë së Devollit, mes tyre specialistë të taksave dhe sekretari i përgjithshëm i Bashkisë së Devollit. Por për dosjen, ende nuk ka asnjë njoftim zyrtar nga ana e SPAK./ZËRI