Aktualitet

SPAK 'merr në dorë' masakrën e Dobraçit, dyshohet se u krye nga një grup kriminal

Sot, Prokuroria e Shkodrës ka shpallur moskompetencë për ngjarjen që tronditi vendin, duke e kaluar në SPAK dosjen.

k.m.
SPAK 'merr në dorë' masakrën e Dobraçit,
Hamza dhe Ibrahim Lici, Arlind Bushati

SHKODËR- 12 ditë pasi ndodhi, Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka marrë 'në duar' për të hetuar masakrën e Dobraçit, ku ndërruan jetë 4 persona, mes tyre Hamza Lici dhe Arlind Bushati. 2 viktimat e tjerë ishin kalimtarë të rastit. Sot, Prokuroria e Shkodrës ka shpallur moskompetencë për ngjarjen që tronditi vendin, duke e kaluar në SPAK dosjen. Nga të dhënat e para raportohet se dosja ka kaluar në SPAK pasi ka dyshime të forta se atentati është porositur, organizuar dhe finalizuar nga një grup kriminal, por më shumë detaje se kaq nuk janë zbuluar. 

Ndryshe nga ngjarjet e ngjashme, masakra në Shkodër ka shumë pikëpyetje, sa për autorët, aq edhe për personat që qarkullonin në mjetin e viktimave Lici dhe Bushati. Përveç identitetit të porositëve, autorëve dhe të gjithë të përfshirëve në masakrën e Dobraçit, misteri më i madh është identiteti i personit të tretë në vendin e ngjarjes. Deri më tani ka dyshime të forta se bëhet fjalë për Ibrahim Licin. Për kapjen e këtij të fundit janë ushtruar kontrolle në disa klinika private në Shkodër, Vlorë dhe Fier. Kjo pasi ka dyshime të forta se Lici ka mbetur gjithashtu i plagosur nga breshëria e armëve të zjarrit. Nëse provohet se në vendin e ngjarjes ka qenë edhe Ibrahim Lici, kjo është një goditje e dyfishtë për hetuesit. Kjo pasi kanë një të mbijetuar nga atentati që mund të zbulojë më shumë detaje, por edhe sepse vetë Lici është në kërkim për vrasjen e Endri Mustafës, në maj 2022.

Ndërkohë, disa kamera sigurie që monitorojnë kryqëzimet kryesorë në qytetin e Shkodrës, kanë fiksuar makinën tip “Range-Rover” që u përdor nga autorët për vrasjen e katërfishtë në Shkodër pasditen e 30 tetorit. Mjeti i vjedhur në Durrës është filmuar ditën e ngjarjes, pikërisht në zonën e rreth-rrotullimit që ndan dy zonat, atë të “Kirasit” dhe “Dobraçit”. Në timonin e makinës së autorëve është një person me bluzë të bardhë. Por fytyra nuk është shquar për shkak se në dy anët e mjetit ishin ulur mbrojtëse e diellit që ndodhen në pjesën e sipërme të xhamit të parë të makinës.

Deri më tani, Policia e Shkodrës ka shpallur në kërkim Izmir Sakicën dhe Samuel Troshanin, të cilët kanë pasur rolin e transportuesit dhe vëzhguesit. 

Në ngjarjen e ndodhur në 30 tetor, Hamza Lici humbi jetën në timon për shkak të një plumbi që mori në zemër, ndërsa makina e tij përplasi një motoçikletë me të cilin udhëtonin çifti Flutura dhe Bashkim Basha. 66-vjeçarja humbi jetën në vend nga përplasja, ndërsa i shoqi ndërroi jetë të dielën në spitalin e Shkodrës. Në mjet bashkë me Licin ishte dhe Arlind Bushati, i cili ndërroi jetë gjithashtu në spital disa orë pas ngjarjes për shkak se kishte marrë një plumb në kokë./ZËRI

Poll

MOS HUMB