
TIRANË-Gjykata e Posaçme e Apelit la në fuqi vendimin e Shkallës së Parë që e shpalli të pafajshëm kryebashkiakun e Devollit Eduard Duro. Të pafajshëm u shpallën edhe 4 zyrtarët e tjerë, Vojsava Bregu, Gazmend Haxhija, Gazmend Malo dhe Astrit Seferkolli.
Njoftimi i Gjykatës:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Dhimitër Lara (kryesues), Tereza Merkaj (anëtare) dhe Nertina Kosova (anëtare), më datë 06.05.2025, shpalli vendimin lidhur me çështjen e regjistruar me nr. 25 akti, datë 26.03.2025 regjistrimi, mbi ankimin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ndaj vendimit nr. 14, datë 10.02.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar që ka vendosur:
1. Deklarimin e pafajshme të të pandehurës V.B, për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, pasi në bazë të nenit 388 pika 1 gërma b) e K.Pr.Penale, “fakti nuk përbën vepër penale”.
2. Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Eduard Duron, për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimi i detyrës”, në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal, pasi në bazë të nenit 388 pika 1 gërma b) e K.Pr.Penale, “fakti nuk përbën vepër penale”.
3. Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit A.S., për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimi i detyrës”, në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal, pasi në bazë të nenit 388 pika 1 gërma b) e K.Pr.Penale, “fakti nuk përbën vepër penale”.
4. Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit G.H., për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimi i detyrës”, në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 248 dhe 25, të Kodit Penal, pasi në bazë të nenit 388 pika 1 gërma b) e K.Pr.Penale, “fakti nuk përbën vepër penale”.
5. Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit G.M., për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimi i detyrës”, në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal, pasi në bazë të nenit 388 pika 1 gërma b) e K.Pr.Penale, “fakti nuk përbën vepër penale”.
6. Shpenzimet e kryera në fazën e hetimit paraprak, në shumën **** lekë dhe shpenzimet gjyqësore, sipas formularit bashkangjitur i ngarkohen shtetit, pasi të pandehurit u deklaruan të pafajshëm sipas nenit 388 pika 1 gërma b) e K.Pr.Penale, se “fakti nuk përbën vepër penale”.
7. Kundër vendimit lejohet ankim nga palët në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brenda 15 ditëve nga e nesërmja e komunikimit të këtij vendimi.
Në përfundim, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi:
– Lënien në fuqi të vendimit nr. 14, datë 10.02.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Duro u mor i pandehur nën akuzën “shpërdorim detyre” pasi licensoi një biznes karburanti që ishte ndërtim pa leje. SPAK kishte kërkuar dënimin e kryebashkiakut me 1 vit burg për shpërdorim detyre, që të konvertohej në 3 vite shërbim prove, si dhe me dënimin plotësues që për 5 vite të mos ushtrojë funksione publike.
Nga hetimet e SPAK, rezultoi se kryebashkiaku socialist Eduard Duro, në bashkëpunim me zyrtarët e Sektorit të të Ardhurave dhe Liçencimit në Bashkinë Devoll, Gazmend Haxhija dhe Gazmend Malo dhe sekretarin e Përgjithshëm të Bashkisë Devoll, Astrit Seferkolli, si dhe të pandehurën tjetër, Vojsava Bregu, pajisën shoqërinë tregtare “Genci Petrol” sh.p.k me autorizim për tregtimin me pakicë të karburantit. Sipas prokurorisë, ky autorizim është dhënë në kundërshtim me ligjin, pasi në vitin 2019 Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit kishte vendosur prishjen e pikës së karburantit./ZËRI