TIRANË- Përplasje, raste dhune dhe sherre janë regjistruar gjatë këtyre ditëve teksa vijon aksioni për lirimin e hapësirave publike. Këtë herë bëhet fjalë për një rast që ka përfunduar në policinë e Tiranës, pasi një qytetar është konfliktuar me pronaren e një lokali në kryeqytet. Bëhet me dije se qytetari me iniciale Xh. L., 65-vjeç ka hequr disa karrige në lokalin që është në administrim të 34-vjeçares.
Lidhur me këtë ngjarjen, të dy të konfliktuarit u morën nën hetim në gjendje të lirë, ndërsa hapësira e zënë nga ky biznes u lirua nga shërbimet e IMT-së.
“Në vijim të verifikimeve rezultoi se 34-vjeçarja e kishte zënë hapësirën publike në funksion të biznesit që administronte, pa leje”, tha policia e kryeqytetit.
Aksioni i lirimit të hapësirave publike ka nisur pothuajse në të gjithë vendin me urdhër të kryeministrit Edi Rama. Fenomeni “tokë e xanun”, sipas Ramës, nuk do të ekzistojnë më. Lidhur me këtë, ai ka bërë thirrje për të gjitha bizneset apo individët të cilët kanë zaptuar padrejtësisht hapësirat publike, t’i lirojnë menjëherë. Sakaq, kryeministri ka paralajmëruar se do të përballen me ligjin kushdo që e kundërshton aksionin./ZËRI