TIRANË-Prej më shumë se dy javësh banorët e Rrjollit në Shkodër po protestojnë kundër ndërtimit të resortit turistik të Bashkim Ulajt, në zonë. Situata vijon e tensionuar dita-ditës, por përveç përplasjeve me policinë shoqërimet në Komisariat dhe rezistencës për të mbrojtur tokën e tyre, 'lufta' për pronën është zhvendosur edhe në platformën sociale Tik Tok.
Ajo që prej ditësh raportohet si një protestë për të mbrojtur tokën e trashëguar brez pas brezi, në faqen e hapur pasqyrohet si një lëvizje e disa prej banorëve për të përfituar shuma parash nga biznesmenët që po ndërtojnë në zonë. Në postet e profilit në Tik Tok shihen banorët të cilët shpesh herë gjatë këtyre ditëve kanë ngritur zërin për të mbrojtur tokën e tyre, me mbishkrime tallëse dhe ofendime fetare.

Në një nga postime shihet një nga banorët me mbishkrimin: Koka e bandës që vendoste gjoba biznesmenëve të Velipojës.

Në një tjetër imazh kalohet në ofendime fetare: Ju kerkoj falje Vellezer Musliman, hangra mut kot se mendova se po kap ndonje leke * dhe une do kthehem ne Islam [ Molla juaj ]

Nuk dihet kush qëndron pas këtij profili, por dukshëm protesta dhe rezistenca e banorëve po shitet si një grup i organizuar për të përfituar kundrejt situatës.
Ndërkohë protesta ka vijuar edhe sot e shoqëruar me përplasje dhe tensione, pasi banorët kanë tentuar të bllokojnë punimet duke ndaluar makineritë e firmës ndërtuese. Efektivët janë të pajisur me masa më shtuara për t’u mbrojtur, duke u paraqitur para banorëve me skafandra dhe jelek antiplumb.
Banorët kanë protestuar edhe para Kuvendi dhe Prokurorisë së Posaçme. Familjarët kanë protestojmë kundër ngritjes së resortit turistik, duke e cilësuar si grabitje të pronës së tyre nga kjo kompani. Ata shprehen se zotërojnë dokumentacion të rregullt për 400 dynym tokë me vendim gjykate të vitit 2006.
Një fshat turistik me vila e hotele luksoze do të ndërtohet në kufi mes Ranës së Hedhun dhe zonës Baks-Rrjoll në Shkodër dhe ka sipërfaqe prej 147.2 hektarësh. Në 31 dhjetor të vitit 2024 biznesmeni Bashkim Ulaj, së bashku me dy vëllezërit e tij Astrit dhe Ahmet Ulaj morën statusin e veçantë “investitor në strukturë akomoduese me 5 yje, status special” për ndërtimin e resortit turistik Blue -Borgo” në bregdetin e Velipojës./ZËRI