VORË-Një aksident i rëndë është regjistruar mëngjesin e sotëm në aksin Vorë–Fushë-Krujë, pranë Urës së Gjolës, ku si pasojë ka humbur jetën gazetari 26-vjeçar Xhesjon Zogu. Mjeti tip “Land Rover” me të cilin udhëtonte i riu është përplasur kokë më kokë me një automjet tip “Benz”, që udhëtonte nga Rinasi në drejtim të Fushë-Krujës.
Sipas hetimeve paraprake dyshohet se drejtuesi i “Benz”-it, Behar Ruçi, ka kryer një parakalim të gabuar, duke shkaktuar përplasjen e fortë mes dy automjeteve. Vetë Ruçi ka mbetur i plagosur dhe është dërguar për trajtim mjekësor.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 09:40, në aksin rrugor Vorë-Fushë Krujë, pranë Urës së Gjolës, automjeti me drejtues shtetasin B. R është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin Xh. Z.
Si pasojë e aksidentit, shtetasi Xh. Z. ka ndërruar jetë në spital, ndërsa shtetasi B. R. ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
-Rreth orës 10:30, në rrugën “Shote Galica”, dyshohet se gjatë punës për instalimin e linjës së internetit, ka rënë nga lartësia e një shtylle shtetasi I. D., rreth 50 vjeç, punonjës i një kompanie telekomunikacioni.
Shtetasi I. D. ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.
Grupet hetimore po punojnë për sqarimin e rrethanave të rasteve.
Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të aksidentit, ndërsa vijojnë veprimet për dokumentimin e ngjarjes./ZËRI