DURRËS-Si sot 16 vite më parë humbën jetën në krye të detyrës Fatos Xhani, Kastriot Feska, Saimir Duçkollari e Altin Dizdari, ish punonjës të Forcës së Posaçme Operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Efektivët e Njësisë Operacionale të Policisë së Shtetit, u vranë më 7 gusht të vitit 2009 nga Dritan Dajti, gjatë një aksioni për arrestimin e tij.
Si ndodhi vrasja
Dritan Dajti u dënua fillimisht me 20 vjet heqje lirie nga Gjykata e Shkallës së Parë së Tiranës për veprën penale të vrasjes së biznesmenit Agim Beqa, në vitin 1999. Viktima kishte nisur ndërtimin e një pallati por ai ishte konfliktuar me disa persona. Ditën kur do niste gjyqi ndaj tjj, Dritan Dajti u arratis në mënyrë spektakolare nga dhoma e izolimit e Gjykatës së Tiranës, më 17 nëntor 2003. Ai mori një pistoletë në tualetin e gjykatës, e vendosur më parë nga miqtë e tij. Me këtë pistoletë, iu drejtua policëve të togës, që kishin për detyrë ta ruanin dhe qëlloi disa herë në ajër dhe u largua.
Policia e Shtetit e kishte shpallur person në kërkim dhe pasi ka mundur ta lokalizojë, ka organizuar operacionin për arrestimin e tij. Pas konstatimit automjeti, grupi operacional ka vazhduar ndjekjen për mbajtjen në vëzhgim dhe kapjen e këtyre personave.
Punonjësi i Policisë, Fatos Xhani, ka hapur derën e parë të shoferit të mjetit tip "Touareg" dhe me thirrjen "Ndal, Policia!", i është drejtuar personit që ndodhej në sediljen e pasme të mjetit, Dritan Dajtit. Menjëherë nga ana e personit që ndodhej brenda mjetit, është hapur zjarr në drejtim të Fatos Xhanit, duke e lënë të vdekur atë.
Po nga brenda makinës, nga i njëjti person është hapur zjarr nga krahu i djathë i makinës, sedilja e pasme nga brenda jashtë, me dy armë zjarri ku për pasojë, ka mbetur i vrarë punonjësi i policisë Saimir Duçkollari. Sipas Prokurorisë, personi që qëlloi nga brenda "Touareg"-ut dhe vrau dy punonjësit e Policisë, Fatos Xhani dhe Sajmir Duçkollari, doli nga dera e pasme e mjetit, krahu pas shoferit, dhe menjëherë ka hapur zjarr në drejtim të punonjësit të Policisë, Altin Dizdari.
Sot pas hekurake
Dritan Dajti, i cili aktualisht është duke vuajtur dënimin në burgun e sigurisë së lartë të Peqinit, ka kërkuar deklarimin e përfundimit të ekzekutimit të vendimit të dënimit me 25 vjet burgim. Ai ishte në prag të lirimit nga qelia, por Prokuroria në mars 2019 ankimoi vendimin e Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, e cila vendosi pranimin e kërkesës për gjykim të shkurtuar të Dritan Dajtit dhe duke ulur dënimin e tij 25 vite burg. Ndërsa, Gjykata e Lartë riktheu dënimin me burg përjetë Dritan Dajtin./ZËRI

